2011-09-07 12:56:42

Atë Antonio Spadaro, blogeri që mbron “hacker”-at, në krye të revistës së jezuitëve "Civilità Cattolica".


Në numrin e fundit, foli për të edhe revista prestigjioze “The Economist”, me dy faqe kushtuar “cyberteknologjisë” dhe jezuitit brilant 45-vjeçar, pedagog i letërsisë në Universitetin Gregorian dhe studiues i komunikimit dixhital, bloger dhe frymëzues i reflektimeve mbi “inteligjencën e fesë në kohën e internetit”, autor në faqen e internetit “BombaCarta”, që mbledh meditime mbi letërsinë e laboratore mbi mënyrën e të shkruarit. Është atë Antonio Spadaro, të cilin, eprori i përgjithshëm, Adolfo Nikolàs, do ta emërojë nesër zyrtarisht drejtor të revistës së njohur të jezuitëve "Civilità Cattolica" -“Qytetërimi Katolik”. Pikërisht, nga faqet e saj, kohët e fundit e provokoi botën kulturore, duke e bërë të flasë për të, me një artikull mbi “Etikën hacker dhe këndvështrimin e krishterë”, ku natyrisht, “hacker”-at shiheshin në kuptimin e tyre fillestar e jo si “crackers”, pra si shkatërrimtarë të sistemit.
E ftuam në mikrofonin tonë, për ta pyetur si e priti emërimin në drejtimin e revistës së njohur e me autoritet, e cila ka hyrë tashmë në vitin e 162-të të publikimit:

Natyrisht, me frikë, sepse të marrësh në dorë drejtimin e një reviste, që i ka rrënjët në mëse 160 vjet histori, do të thotë të përballesh me një sfidë shumë impenjative. Nga ana tjetër, siç e dinë ndoshta dëgjuesit, “Qytetërimi Katolik” është një revistë, që bazohet mbi një grup shkrimtarësh, një revistë që prodhohet nga një bashkësi jezuitësh, që shkruajnë, mendojnë, punojnë së bashku. Prandaj, jam i qetë, pasi kam ata pas.
Cili është roli i revistës në kohën e sotme?
“Qytetërimi Katolik” u ofron lexuesve të vet përvojën intelektuale, që del nga bashkësia jonë, e ndriçuar nga feja e krishterë dhe e ndërthurur thellë në jetën kulturore, shoqërore, ekonomike e politike të ditëve tona. Kontributi i revistës dëshiron të jetë serioz, cilësor, por njëkohësisht, jo elitar e, kjo shihet sidomos nga gjuha e përdorur, një gjuhë jo e ndërlikuar. Ajo i ofron botës katolike e do të thosha, edhe çdo njeriu të impenjuar në botë, një burim të besueshëm informacioni të aftë t’i bëjë njerëzit të mendojnë, të arrijnë në një gjykim personal. Do të thosha, se është në kodin gjenetik të kësaj reviste të shërbejë si urë, të interpretojë botën për Kishën dhe Kishën për botën, të kontribuojë për një dialog të hapur.
Ju e merrni këtë detyrë në një çast ndryshimesh të mëdha për botën e komunikimit: le të mendojmë për shembull, për rrjetet shoqërore në internet. Si i shikoni këto risi?
Për revistën, merrem prej kohësh me tekonologjitë e reja, me ndikimin që kanë ato mbi mënyrën e njohjes së botës e të krijimit të marrëdhënieve ndërmjet njerëzve. Në këtë fushë, “Qytetërimi Katolik” mund të japë mësim, sepse që nga viti 1850 ka përshkuar dhjetëvjeçarë me ndryshime të mëdha në botën e komunikimit. Në kohën tonë, të karakterizuar nga rrjetet shoqërore, nga mediat e reja dixhitale, të komunikosh do të thotë gjithnjë e më pak të transmetosh një lajm në mënyrë neutrale e gjithnjë e më shumë, të jesh dëshmitar, pra të ndash me të tjerët këndvështrime, ide. Historia e “Qytetërimit Katolik”, ADN-ja e revistës përkon jashtëzakonisht me këtë. Për sa është e mundur, do të përpiqemi ta përhapim mesazhin e revistës edhe në platformat dixhitale, me më tepër forcë.
Ju jeni ekspert i teknologjive të reja. Papa na fton të hyjmë në kontinentin dixhital me një stil të krishterë, por dikush ka akoma dyshime…
Mesazhi i fundit i Benediktit XVI për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore është pikë themelore referimi, që duhet t’i zhdukë të gjitha shqetësimet e tensionet në këtë drejtim. Në fund të fundit, Papa e thotë qartë se problemi, thelbi i çështjes nuk është si ta përdorim rrjetin, por si ta jetojmë mirë kohën e rrjetit. Ambienti dixhital është ambient jetësor, nga i cili i krishteri nuk mund të mungojë. Është një sfidë, që duhet pranuar plotësisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.