2011-09-06 16:09:41

Vazhdojnë ndeshjet ndëretnike në Nigeri


Vazhdojnë ndeshjet ndëretnike në rajonin e Josit në Nigerinë qendrore. Që nga dita e hënë, numri i viktimave ka arritur në 50 vetë. Njëri kundër tjetrit qëndrojnë një grup etnik i krishterë dhe një tjetër mysliman. Por, shkaku i dhunës nuk është vërtet fetar, siç thotë në mikrofonin tonë kryeipeshkvi i Josit, imzot Ignatius Ayau Kaigama:
Autoriteteve u intereson të thonë se krejt kriza është shkaktuar nga motive fetare. Nuk e mohoj se të krishterët e myslimanët po luftojnë kundër njëri-tjetrit, por faktorët që e kanë ushqyer këtë krizë janë kryesisht me karakter etnik dhe ekonomik e, i kanë rrënjët thellë në realitetin historik të rajonit. Ndër shkaqet, është lufta për pushtetin politik lokal dhe për kontrollin e zonave bujqësore më pjellore. Duhen gjetur me urgjencë zgjidhje, por kjo nuk bëhet. Autoritetet sillen si struci, që e fsheh kokën në rërë, duke shpresuar se problemet do të kalojnë, por kjo nuk ndodh e nëse nuk zgjidhen çështjet, të rinjtë do të bien gjithnjë e më tepër në dëshpërim e do të bëhen gjithnjë e më të dhunshëm.
Ç’po bëni ju si Kishë Katolike?
Duhet të krijojmë një atmosferë miqësie e solidariteti ndërmjet nesh e myslimanëve. Këtë po përpiqemi të bëjmë si Kishë. Kemi marrë kontakte me krerët islamikë dhe së bashku me ta, kemi bërë thirrje për fundin e dhunës. Krerët myslimanë i janë përgjigjur shumë pozitivisht iniciativës sonë, pasi edhe ata janë të shqetësuar për të rinjtë, të cilët po asimilojnë kulturën e dhunës e të vdekjes, në vend të kulturës së dashurisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.