2011-09-06 13:01:49

Mësimet e Benediktit XVI për Eukaristinë: i krishteri ia ndjen nevojën dhe e kupton gëzimin që sjell


Vazhdon në Ankona të Italisë Kongresi i 25-të Eukaristik, që do të përfundojë më 11 shtator, me Meshën Solemne të kremtuar nga Papa Benedikti XVI në zonën e kantierit detar të qytetit. Tema e sivjetme është “O Zot, te kush do të shkojmë? Eukaristia për jetën e përditshme”.

Pyetja që shën Pjetri apostull i drejton Jezusit, sipas Ungjillit të shën Gjonit, “O Zot te kush do të shkojmë?”, edhe pas dymijë vjetësh, mbetet çështja qendrore e jetës së krishterë. Edhe sot, besimtarët gjejnë në Eukaristi – Pasion i Zotit për njeriun – tharmin e risisë në të gjitha aspektet e jetës së përditshme. “Eukaristia – shkruan Papa Racinger në Këshillimin apostolik post-sinodal ‘Sacramentum Caritatis’ – e bën të mundur, ditë për ditë, shndërrimin progresiv të njeriut, i thirrur për Hirin e Tënzot të jetë imazh i Birit të Zotit”. E më pas: “Nuk ka asgjë vërtet njerëzore – mendime, fjalë e vepra – që të mos gjejë në Sakramentin e Eukaristisë formën e përshtatshme për t’u jetuar në plotësi”. Kemi nevojë për këtë Bukë për të përballuar problemet e jetës, pati thënë Ati i Shenjtë gjatë homelisë, shqiptuar në Bari, më 29 maj 2005, me rastin e Kongresit të 24-t Eukaristik Italian:
“Pjesëmarrja në kremtimin e së dielës, ushqimi me Bukën eukaristike dhe eksperimentimi i bashkimit ndërmjet vëllezërve dhe motrave të Krishtit është nevojë për të krishterin, është gëzim, në mënyrë që i krishteri vetë të gjejë energjitë e nevojshme për rrugën, që duhet të bëjmë çdo javë. Një rrugë, jo arbitrare: udha, që Zoti na tregon me Fjalën e Tij, shkon në drejtimin e përvijuar brenda vetë thelbit të njeriut”.
Kur njeriu vë në jetë Fjalën e Zotit dhe ecën me Krishtin, realizon vetveten. Humbja e kësaj rruge çon në humbjen e vetvetes. Zoti, pati thënë Papa në Meshën e përfundimit të Kongresit Eukaristik të Barit, nuk na le vetëm në këtë rrugë, por ecën së bashku me ne, pasi na do. Krishti, që takojmë në Eukaristi, është po Ai në të gjithë botën:
“Është po ai Krisht i vetëm, që është i pranishëm në Bukën eukaristike në çdo vend të tokës. Kjo do të thotë se ne mund ta takojmë vetëm së bashku me të gjithë të tjerët. Mund ta marrim në zemër vetëm në unitet me të tjerët”.
Siç thotë shën Pali apostull në Letrën drejtuar Korintianëve: “Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse jemi shumë, jemi një trup i vetëm: pse të gjithë jemi pjestarë të një buke” (1 Kor 10,17).







All the contents on this site are copyrighted ©.