2011-09-06 13:02:02

Kisha e politika. Dëshmia e të krishterëve duhet të jetë e dukshme


“Formë e lartë dashurie”: kështu e përkufizon Kisha Katolike politikën, duke u bazuar në kuptimin e saj fillestar të dashurisë për “polis”-in, për “qytetin”, për shoqërinë. Politikani pra, i shtyrë nga dashuria për shoqërinë ku jeton, i kushtohet tërësisht drejtësisë, vlerë morale, që i jep secilit të drejtën e vet. Ky ishte koncepti, që shtjelloi kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinal Anxhelo Banjasko në Shkollën Verore të Fraskatit (pranë Romës), organizuar nga Fondacioni “Magna Carta”.
Karakteristikat e politikës, që përvijoi kardinali, janë të vlefshme për të gjitha kohët e për të gjitha vendet. Politika, nënvizoi ai, duhet ta ketë për zemër natyrën njerëzore në përgjithësi e jo veçoritë individuale, duhet të mbrojë trashëgiminë ideale të një populli, që i jep atij mundësinë të ndjehet “familje”, pasi njeriu, ashtu siç ka nevojë për qiellin me yje e për horizontet pa fund, ashtu ka nevojë edhe për një shtëpi, për një vend, ku gjithçka është familjare, ku të mblidhet e të ndjejë dashurinë e të tjerëve.
Por cili është raporti ndërmjet politikës dhe Kishës? “Ka njerëz, që duan ta mohojnë përmasën publike të fesë – theksoi kardinal Banjasko – duke e lënë atë vetëm në sferën private. Të gjithëve u njihet liria e ndërgjegjes, por nga katolikët pretendohet ta lenë mënjanë fenë, që është baza e ndërgjegjes së tyre”. Por krishterimi është feja e Mishërimit të Zotit në historinë e njeriut e në Ungjill Jezusi thotë: “Ju jeni kripa e tokës…jeni drita e botës”, duke shprehur kështu, nevojën e shpalljes së Fjalës së Hyjit. Kjo është arsyeja për të cilën të krishterët jetojnë në botë, por nuk asimilohen në të.
Kripa e historisë, vazhdoi kreu i ipeshkvijve italianë, është Krishti, që na shpëton nga vdekja e, besimtarët janë dëshmitarët e Tij në botë, dritë e dukshme e pranisë së krishterë. Prandaj, disa vlera, si ato në fushën e jetës e të familjes, koncepti mbi njeriun, lirinë dhe shtetin nuk mund të diskutohen. Janë vlera për të cilat ia vlen të japësh jetën, theksoi prelati, pasi aty ku nuk ekziston asgjë për të cilën ia vlen të flijohesh, aty është e vështirë edhe të jetosh. Siç shkruante Tomas Eliot: “Nuk besoj se kultura e Evropës mund të mbijetojë pas zhdukjes së plotë të fesë së krishterë. Nëse krishterimi kalon, kalon edhe krejt kultura jonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.