Kremtimi i festës liturgjike të së Lumes Nënë Terezë
Sot më 5 shtator, kujtojmë përvjetorin e kthimit në shtëpinë e Atit Qiellor të së
Lumes Nënë Terezë, e gjithnjë në këtë ditë, Kisha katolike kremton edhe festën liturgjike
të së Lumes shqiptare Gonxhe Bojaxhiut. Pra, kanë kaluar 14 vjet nga data e 5
shtatorit të vitit 1997, kur Themeluesja e Motrave dhe Vëllezërve të Bamirësisë, e
Lumja Nënë Terezë, është kthyer në shtëpinë e Atit Qiellor. Edhe salikimet e saj,
kremtuar në Kalkutë të Indisë, që bashkuan përfaqësues të të gjitha feve, personalitete
botërore të të gjitha fushave, të varfër e të pasur nga mbarë planeti, qenë një dëshmi
e gjallë e admirimit që gëzonte rregulltarja shqiptare e bamirësisë, e cila u përcoll
për në banesën e fundme me një kremtim që la gjurmë në historinë e shekullit. Planeti
mbarë nderonte gruan, që ia kishte mjekuar plagët të varfërve e të sëmurëve të braktisur,
duke shkelur personalisht në të katër skajet e globit, me sandalet e vjetra të rregulltares
dhe me moton e pamort të Krishtit: "Në se i jepni një pikë ujë njërit prej këtyre
të vegjëlve të mi, ma keni dhënë mua!" Kudo shkoi, e Lumja Nënë Terezë u përpoq të
shuante pikërisht etjen e Krishtit, etjen për Krishtin! Papa Gjon Pali II, që e
vlerësoi, madje e admiroi dhe e ndihmoi vazhdimisht, e quajti të Lumen Nënë Terezë
"dhuratë e Zotit për Kishën e për botën", për t'u kujtuar kështu të gjithëve se dashuria
Ungjillore qëndron mbi të gjitha vlerat, posaçërisht kur gjen shprehjen e vet në shërbimin
që i bëhet më të përbuzurve e nëpërkëmburve ndërmjet vëllezërve e motrave tona. Në
festën liturgjike të saj që Kisha katolike kremton sot e që përkon me përvjetorin
e kthimit të Nënë Terezës në shtëpinë e Atit Qiellor, pa u ndaluar tek imtësitë e
jetëshkrimit të saj, që sot rikujtohet e kremtohet liturgjikisht në mbarë botën, po
e kujtojmë këtë gjigante të fesë, të dashurisë e të bamirësisë me fjalët e Gjon Palit
II:
"Nënë Tereza e Kalkutës është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të
heshtur të bamirësisë, që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit në kryq, dëshmitare
e paharrueshme e dashurisë së Zotit, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin
e vazhdueshëm ndaj vëllezërve më të varfër e më të braktisur. Në fytyrat e të mjerëve,
Nënë Tereza pa fytyrën e Jezu Krishtit i cili, nga lartësia e kryqit, vijon të klithë:
"Kam etje!". E ajo iu përgjigj kësaj klithje hyjnore që dilte prej buzëve të shkrumbuara
nga etja e Krishtit mbi Kryq, duke ia dhuruar vetveten pa kursim njerëzve të varfër,
të braktisur, të vuajtur, të vetmuar, atyre që vdisnin rrugësh. Duke ecur, pa u
lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, Nënë Tereza la gjurmë të pashlyeshme në historinë
e shekullit kur jetoi: mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq, jetën e dinjitetin
e njeriut; atyre që shtypeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga
bota. Të mënjanuarve e atyre që nuk kishin shpresë, u dha vetëdijen se nuk ishin të
tepërt e të refuzuar, por ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit të gjithëpushtetshëm,
plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat e veta, e posaçërisht për ta, siç na
mësojnë Lumturitë Ungjillore. E Lumja Nënë Terezë e dëshmoi Ungjillin e dashurisë,
që ushqehet me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes, deri në grahmën e fundit. Kështu
do ta kujtojmë gjithmonë, duke iu lutur të ndërmjetësoi për ne e nevojat tona pranë
Atit qiellor. Sot shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës është bërë burim
frymëzimi për familjen e saj shpirtërore, për Atdheun e saj, për Kishën e mbarë njerëzimin!”. Kështu
pra është shprehur mes tjerash Papa Gjon Pali II që e lartoi në nderimet e elterit
Nënë Terezën më 19 tetor 2003, e ne sot të Lumen Nënë Terezë e shikojmë me emocion
të thellë e cila tanimë nga elteri nga na porosit: “Duani njëri-tjetrin, ashtu si
Zoti do secilin prej jush dhe lutuni… lutuni e silleni lutjen brenda familjes, sepse
familjet që luten së bashku, qëndrojnë të bashkuara e në harmoni. E nëse njerëzit
qëndrojnë bashkë, ata do ta duan njëri-tjetrin, ashtu si Zoti e do secilin. ”Kisha
është Korpi i Krishtit, është Nëna jonë”, thoshte Nënë Tereza duke i ftuar të gjithë
e posaçërisht ne sot :”ta dhurojmë vetveten me Krishtin e për Krishtin. për të mirën
e njerëzve, të të gjithë njerëzve. Lëreni Atë të shohë me sytë tuaj, të flasë me gojën
tuaj, të punojë me duart tuaja, të ecë me këmbët tuaja, të mendojë me kokën tuaj dhe
të dojë me zemrën tuaj. Ai na fton që ne ta duam njëri-tjetrin, ashtu si na deshi
Ai, deri në dhembje. Nuk na lejohet të themi “E dua Zotin, por nuk e dua të afërmin
tim”. Si mund ta duash Zotin, që nuk e sheh, nëse nuk e do fqinjin, që e sheh, e prek,
jeton me të?
Përpiquni ta çoni Zotin në familje, sepse familjet që luten së
bashku qëndrojnë së bashku. Mendoj se ne, në familjen tonë, nuk kemi nevojë për bomba
apo armë që ta shkatërrojmë ose ta sjellim paqen – duhet veç të rrimë bashkë, ta duam
njëri-tjetrin, të sjellim në shtëpitë tona paqen, gëzimin, fuqinë e pranisë së Zoti”. Kundrim
e veprim, ungjillëzim e shërbim njerëzor: kjo është ikona e Nënë Terezës që e kumtoi
Ungjillin e dashurisë së Krishtit me jetën e saj, të cilën ua dhuroi plotësisht të
varfërve, e njëkohësisht ia kushtoi lutjes drejtuar Zotit. Kush takohet me Jezusin,
kush lejon të tërhiqet prej Tij dhe është i gatshëm ta ndjekë deri në sakrifikimin
e jetës, siç bëri e Lumja Nënë Terezë, ai njeri provon personalisht sikur ka bërë
edhe Krishti se vetëm “kokrra e grurit” që bie në tokë e vdes sjell “shumë fryt”. Rruga
e Krishtit është “rruga e dashurisë së plotë që fiton kundër vdekjes. Kjo është përvoja
e jashtëzakonshme, e përjetuar nga e Lumja Nënë Terezë, Apostulle e Dashurisë, që
e ndoqi Jezusin udhëve të mjerimit të njerëzit nëpër botë. Kush jeton në Zotin që
në këtë tokë, tërhiqet e shndërrohet nga vezullimi i fytyrës së Tij Hyjnore. Këtë
na dëshmon jeta dhe vepra e së Lumes Nënë Terezë, të cilën Kisha përmes festë së saj
liturgjike na e paraqet si shembujt të ndritur dhe na fton ta ndjekim në jetën tonë
të përditshme. Kjo është përvoja e miqve të vërtetë të Zotit, shenjtërit e posaçërisht
e Lumja Nënë Terezë, që kanë njohur dhe dashur tek vëllezërit, veçanërisht tek më
të varfrit dhe nevojtarët, tek të përbuzurit e të mënjanuarit fytyrën e atij Zoti,
të cilin aq gjatë e ka kundruar me dashuri në lutje. E Lumja Nënë Terezë është për
ne shembull nxitës për t’u imituar; ajo na siguron se nëse ecim me besnikëri kësaj
rruge ungjillore, rrugës së dashurisë, edhe ne – siç thotë Psalmisti – do të mbushemi
me praninë e Zotit.” Në përfundim të këtij përkujtimi liturgjik, t’i bëjmë tonat
fjalët e Papës Vojtila për të Lumen Nënë Terezë, shqiptuar në homelinë e Meshës së
Lumturimit të saj më 19 tetor 2003: “Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar
me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e këtë bamirëse të palodhur të
njerëzimit. Në të nderojmë një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë.
Ta pranojmë mesazhin dhe ta ndjekim shembullin e saj”. Pjesa e Ungjillit që
kumtohet në festën e së Lumes Nënë
Terezë: Nga Ungjilli i shenjtë sipas Mateut. Në atë
kohë, Jezusi pa një turmë të madhe populli e tha: “E kur të vijë Biri i njeriut
në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm.
Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit,
sikurse bariu ndan delet prej cjepve. Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë
në të majtën. Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e
tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju
që prej fillimit të botës! Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të
pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të
më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’ Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen:
‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? Kur
të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? Ose, kur të pamë të sëmurë
ose në burg e erdhëm te ti?’ Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them:
çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua.’ Fjala
e Zotit!