Gjon Pali II: Nënë Tereza e kumtoi Ungjillin me jetën e saj të cilën ua dhuroi plotësisht
të varfërve
Homelia e Papës Gjon Palit II, mbajtur gjatë kremtimit të Eukaristisë në Lumturimin
e Nënë Terezës . "Kush dëshiron të jetë i pari ndërmjet jush do të jetë shërbëtori
i të gjithëve" (Mc. 10, 44) . Këto fjalë të Jezusit drejtuar nxënësve, që jehuan rishtas
pak më parë në këtë Shesh, tregojnë cila është rruga që çon në "madhështinë" ungjillore.
Është e njëjta rrugë që përshkoi vetë Krishti, deri në Kryq; një udhë dashurie e shërbimi,
që përmbys çdo logjikë njerëzore. "Të jesh shërbëtor i të gjithëve!".
Nga
kjo logjikë është udhëhequr Nënë Tereza e Kalkutës, Themeluese e Misionareve e Misionarëve
të Bamirësisë, të cilën sot kam gëzimin ta shkruaj në Librin e të Lumturve. I jam
mirënjohës personalisht kësaj gruaje guximtare, të cilën e kam ndjerë gjithnjë pranë
meje. Ikonë e Samaritanit të mirë, ajo shkonte gjithandej për t’i shërbyer Krishtit
ndër më të varfrit. S’kishte luftë as konflikt që ta ndalonte.
Herë pas here
vinte të më fliste për përvojën e saj në shërbim të vlerave ungjillore. Kujtoj, për
shembull kur,duke marrë Çmimin Nobel, pati thënë: “Në se dëgjoni se ndonjë grua nuk
do ta mbajë fëmijën e saj e dëshiron ta abortojë, përpiquni ta bindni të ma sjellë
mua atë fëmijë. Unë do ta dua, duke parë në të shenjën e dashurisë së Hyjit” (Oslo,
10 dhjetor 1979). A s’është domethënës fakti që Lumturimi i saj ngjet pikërisht
në ditën kur Kisha kremton Ditën Misionare Botërore.
Me dëshminë e jetës
së saj Nënë Tereza na kujton se misioni ungjillëzues i Kishës kalon përmes dashurisë
e bamirësisë së krishterë, të ushqyer nga lutja e nga dëgjimi i Fjalës së Zotit.
Simbol i këtij stili misionar është figura që e paraqet të Lumen e re duke shtrënguar,
me njërën dorë, atë të një fëmije e, me tjetrën, Rruzaren Shenjte. Kundrim e veprim,
ungjillëzim e përparim njerëzor: Nënë Tereza e kumtoi Ungjillin me jetën e saj të
cilën ua dhuroi plotësisht të varfërve, e njëkohësisht, lutjes.
“Kush dëshiron
të jetë i madh ndërmjet jush, duhet të bëhet shërbëtori juaj" (Mk. 10. 43). Me emocion
të posaçëm po kujtojmë sot Nënë Terezën, shërbëtoren e madhe të të varfërve, të Kishës
e të botës. Jeta e saj është dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të
përvuajtur.
Ajo nuk pati vendosur të ishte thjeshtë e fundmja, por shërbëtorja
e njerëzve më të fundmë. Si Nënë e vërtetë e të varfërve, ajo vendosi t’i provojë
vetë format e ndryshme të varfërisë. Madhështia e saj qëndron në aftësinë për të dhënë
pa pritur shpërblim, për të dhënë “deri në dhimbje”. Jeta e saj radikale, ishte Ungjill
i gjallë. Britma e Krishtit në kryq "Kam etje!" (Gjn. 19: 28), që shpreh dëshirën
e thellë të Zotit për njeriun, hyri në thelb të shpirtit të Nënë Terezës dhe gjeti
një tokë pjellore në zemrën e saj. Të shuash etjen e Jezusit për dashuri dhe për shpirtra
njerëzore, në bashkim me Shën Marinë, Nënën e Krishtit, u bë qëllimi i vetëm i jetës
së Nënë Terezës; u bë forcë e brendshme, që e shtynte atë të mos kujdesej për vetveten
dhe të vraponte papushim rreth e përqark globit për të punuar për shpëtimin dhe shenjtërimin
e më të varfërve ndër të varfër.
“Atë që bëni për më të voglin e këtyre vëllezërve
të mi, ma keni bërë mua”. (Mt. 25: 40) Kjo pjesë e Ungjillit kaq e rëndësishme për
të kuptuar shërbimin e Nënë Terezës ndaj të varfërve, ishte baza e bindjes së saj,
e besimit se duke prekur trupat e shkatërruar të të varfërve, prekte Korpin e Krishtit.
Ajo i shërbente vetë Jezusit, të fshehur pas pamjes së mjerë të të varfërve më të
varfër. Nënë Tereza zbuloi kuptimin më të thellë të shërbimit si vepër dashurie që,
duke u bërë për të uriturit, të eturit, të huajtë, të zhveshurit, të sëmurët, të burgosurit,
(cf. Mt. 25: 34- 36), bëhet për vetë Jezusin.
Duke e parë atë tek të varfrit,
ajo i shërbeu me devocion të thellë, dhe shprehu kështu delikatesën e dashurisë për
Dhëndrin e saj. Prandaj në dhurimin e plotë të vetvetes për Zotin dhe për të afërmin,
Nënë Tereza e realizoi plotësisht vetveten dhe zbuloi cilësitë më fisnike të femërisë
së saj. Ajo donte të ishte një shenjë e dashurisë së Zotit, e pranisë së Zotit, e
mëshirës së Zotit, dhe kështu na kujton të gjithëve vlerën dhe dinjitetin e secilit
prej bijve të Zotit, që janë krijuar për t'u dashur dhe për të dashur. Prandaj Nënë
Tereza ishte ajo që i çonte shpirtrat tek Zoti e Zotin tek shpirtrat dhe shuante etjen
e Krishtit, sidomos për ata që kishin më shumë nevojë, për ata që e shikonin vagëllimthi
fytyrën e Zotit, me sytë e mjegulluar nga vuajtja e dhimbja. "Biri i njeriut ka
ardhur për të dhënë jetën e vet në shpërblim të shumëkujt" (Mc 10, 45). Nënë Tereza
jetoi mundimet e Tij të dhimbshme posaçërisht në vitet e gjata "të errësirës së brendshme".
Kjo provë, të cilën ajo e pranoi si "dhuratë e privilegj", i shkaktoi dhimbje
të thekshme. Në orët më të errëta, ajo lutej edhe më fort para të Shenjtnueshmit Sakrament.
Kjo tronditje e rëndë shpirtërore e bëri të njësohej gjithnjë më shumë me ata, të
cilëve u shërbente çdo ditë, duke provuar dhimbjen e nganjëherë, dhe braktisjen.
I pëlqente të përsëriste se varfëria më e madhe është të jesh i padëshirueshëm, të
mos kesh njeri që kujdeset për ty. “Na e jep o Zot hirin tënd, në ty shpresojmë!"
Sa herë, ashtu si Psalmisti, edhe Nënë Tereza, në çastet e përhumbjes shpirtërore
i përsëriti Zotit të vet. "Në Ty, në Ty shpresoj, Zoti im!"
Ta lavdërojmë këtë
grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e
bamirëse të palodhur e njerëzimit. Nderojmë në të një nga personalitetet më të rëndësishme
të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e saj. Virgjër Mari,
Mbretëreshë e të gjithë shenjtërve, na ndihmo të jemi zemërbutë e të përvujtë, si
kjo lajmëtare sypatrembur e dashurisë. Na ndihmo t’i shërbejmë me gëzim e buzëqeshje
çdo njeriu që takojmë. Na ndihmo të jemi misionarë të Krishtit, paqja jonë e shpresa
jonë. Amen! Vatikan, 19 tetor 2003