Benedikti XVI: Nënë Tereza dishepulle e vërtetë e Krishtit.
Gjatë audiencës së përgjithshme të 5 shtatorit 2007 Papa Benedikti XVI e kujtoi figura
e jashtëzakonshme të Lumes Nënë Terezë në 10 vjetorin e kalimit të saj në amshim,
duke quajtur "dishepulle e vërtetë e Krishtit" “Jeta dhe dëshmia e kësaj dishepulle
të vërtetë të Krishtit, së cilës i kremtojmë pikërisht sot festën liturgjike, janë
një ftesë për ju e për të gjithë Kishën që t’i shërbeni me besnikëri Zotit në më të
varfrit e më nevojtarët. Vazhdoni ta ndiqni shembullin e saj e qofshi gjithkund mjete
të dashurisë hyjnore” Siç e kujtoi Papa Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme,
duke iu drejtuar 1500 misionareve dhe misionarëve të Bamirësisë të pranishëm, 10 vjet
më parë vdiste në Kalkutë (sot Kolkatë), e Lumja Nënë Tereza. Ishte 5 shtatori i vitit
1997 e Gonxhe Bojaxhiu kishte mbushur 87 vjet. Dikush ka shkruar se nëse ajo do të
kishte vdekur në kohë të tjera, do të ishte varrosur me nderimet e shenjtorëve, pasi
populli e njihte për shenjte që në të gjallë. Në vitin 1979 pat marrë çmimin Nobel
për paqen e para gjithë botës nga tribuna e dorëzimit të çmimeve, pati kërkuar që
të luteshin për popullin shqiptar. Në vitin 2003 shpallet e Lume nga Papa Gjon
Pali II. Në të gjithë botën janë zhvilluar aktivitete e manifestime të ndryshme për
të kujtuar Nënën e të varfërve. Në Kolkatë (Kalkuta e dikurshme), qindra njerëz shkojnë
të luten në shtëpinë e motrave të Bamirësisë dhe kërkojnë që Nënë Tereza të shpallet
shpejt shenjte. Në agim, një procesion me qirinj dhe një meshë kujtuan murgeshën e
vogël shqiptare. “Fryti i heshtjes është lutja. Fryti i i lutjes është feja.
Fryti i fesë është dashuria. Fryti i dashurisë është paqja. Veprat e dashurisë nuk
janë tjetër veçse vepra paqeje”. Gjërat e vërteta lindin nga heshtja! Nënë
Tereza ndodhej në Indi si drejtoreshë e një shkolle të një kongregate fetare. Në Kalkutë
zbulon dramën e heshtur të të varfërve, të moshuarve, të grave e të fëmijëve, që të
braktisur nga kjo botë, vdisnin në rrugët e indiferencës. Dëgjon zërin e Jezu
Krishtit që i thotë: “Lëre kuvendin e shko të ndihmosh të varfrit, jeto me ta,
ndër ta e si ata”. Bindet: shkon të jetojë në mes të barakave e plehrave dhe fillon
të mbledhë më të dëshpëruarit e të dëshpëruarve, sidomos lebrosët. Aty ku të tjerët
shihnin veç dhimbje e dështim, ajo sheh fytyrën e Krishtit. Por si mund t’i përgjigjet
thirrjes së Zotit, ku gjendet forca për të thënë “po”? Të dëgjojmë Nënë Terezën: “Duke
e lënë veten në dorë të Krishtit, por edhe nëpërmjet një dashurie të thellë e delikate
për Jezusin, sidomos në Eukaristi, në Meshë e në Adhurim”. “Vëmendja ndaj të tjerëve
– thotë misionarja – është fillimi i shenjtërisë”. Nënë Tereza kujdeset për
njeriun veç e veç, jo për turmën. Qëndron me të varfërit, por di t’u drejtohet edhe
të pasurve, në të cilët shpesh sheh dëshpërimin: “të varfërit e Kalkutës – pohon –
nuk kanë asgjë, por besojnë akoma në diçka; ndërsa ata që kanë shumë, duket sikur
nuk besojnë më në asgjë”. Flet kundër çdo lloj dhune: nga lufta tek aborti. “Nëse
nuk e doni fëmijën – u thotë nënave që duan të abortojnë – ma jepni mua: mos e vrisni!
Sepse derisa të ekzistojnë nëna që shkatërrojnë jetën e fëmijëve që në kraharor, rruga
e vrasjeve dhe e luftës mbetet gjithnjë e hapur”. Mesazhi i saj është i thjeshtë:
dashuria e shpallur nga Jezusi në Ungjill: “Jezusi erdhi të na sjellë Lajmin e
Mirë se Zoti na do e se duhet ta duam njëri-tjetrin, ashtu si Ai na do ne. Për këtë
pati thënë: “Çdo gjë që e bëni për nevojtarët e keni bërë për mua. Nëse keni dhënë
një gotë ujë në emrin tim, ma keni dhënë mua. Nëse keni mirëpritur një fëmijë në emrin
tim, më keni pritur mua”. E kur të vdesim e të kthehemi tek shtëpia e Zotit, sërish
do të dëgjojmë Jezusin që thotë: “Ejani ju të bekuar nga Ati im, sepse kur pata uri
më dhatë të ha. Isha i zhveshur e më veshët, Nuk kisha shtëpi e më pritët në shtëpinë
tuaj. Isha i sëmurë e në burg dhe erdhët të më shihni. Ejani dhe merrni në dorëzim
Mbretërinë që është përgatitur për ju”. Ku e ka fillimin dashuria? Në familje. Si
fillon? Duke u lutur së bashku. Familja që lutet së bashku, mbetet e bashkuar.
E nëse ju do të mbeteni të bashkuar do ta doni njëri-tjetrin, ashtu si Jezusi ju do.
Çojeni pra lutjen, gëzimin, dashurinë dhe paqen në familjet tuaja e kështu do të rriteni
në shenjtëri. Shenjtëria nuk është luks për pak vetë, është një bukuri e thjeshtë,
sepse Jezusi ka thënë: “Qofshi të shenjtë, ashtu si Ati im që është në qiell”. Zoti
ju bekoftë të gjithëve”. (05.09.2007 RV)