2011-09-05 17:15:16

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: të krishterët ta qortojnë vëllazërisht njëri-tjetrin. Përshëndetja e Papës për Kongresin Eukaristik Italian


Qortimi vëllazëror dhe lutja e përbashkët me të njëjtin ndjet: mbi këto dy shtylla të jetës së krishterë u përqendrua reflektimi i Papës gjatë Lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos. Benedikti XVI u bazua në Ungjillin e djeshëm, i cili u tregon të krishterëve se si duhet t’i qortojnë mëkatarët, duke u bazuar në fjalët e vetë Jezu Krishtit, që Ati i Shenjtë i përsëriti:
“Nëse vëllai im bën faj kundër meje, unë duhet t’i drejtohem me dashuri e para së gjithash, t’i flas personalisht, duke i dëshmuar se ç’ka thënë e bërë nuk është e mirë. Kjo mënyrë veprimi quhet qortim vëllazëror: ai nuk është reagim për ofendimin e pësuar, por frymëzohet nga dashuria për të afërmin”.
Mund të ndodhë që kush ka gabuar nuk i dëgjon qortimet e nuk ndryshon rrugë. Ungjilli, vazhdoi Papa, na tregon atëherë se vëllait, të afërmit, i duhet folur sërish, duke marrë me vete dy ose tre vetë e nëse as kjo nuk funksionon, problemi i paraqitet bashkësisë. E nëse edhe kjo nuk mjafton, theksoi Benedikti XVI, duhet ta bëjmë mëkatarin të provojë atë largim nga bashkësia kishtare, që ai vetë e ka shkaktuar:
“E gjithë kjo tregon se ekziston një përgjegjësi e përbashkët në rrugën e jetës së krishterë: secili, i vetëdijshëm për kufijtë e mungesat e veta, duhet ta pranojë qortimin vëllazëror e t’i ndihmojë të tjerët me këtë shërbim të veçantë”.
Më pas, Papa shpjegoi edhe “frytin tjetër të dashurisë”, siç e quajti: atë të lutjes së përbashkët me të njëjtin ndjet. Lutje, që bazohet mbi forcën e premtimit të Jezu Krishtit, i cili ka thënë se aty ku dy ose më shumë njerëz merren vesh për të kërkuar çfarëdo lloj gjëje, Ati Qiellor do t’ua japë. Ay ku dy ose më shumë janë të bashkuar në emrin tim – pohon Jezusi – aty jam edhe unë. Kjo lloj lutjeje, shpjegoi Benedikti XVI, tregon se të krishterët janë të bashkuar dhe në një mendje, janë pasqyrë e bashkimit të përsosur të dashurisë, që e dallon Trininë Shenjte:
“Duhet të ushtrohemi… në këtë mirëkuptim brenda bashkësisë së krishterë. Duhet të ushtrohemi si për qortimin vëllazëror, që kërkon shumë përvuajtëri e thjeshtësi në zemër, ashtu edhe për lutjen, që ajo të arrijë te Zoti nga një komunitet vërtet i bashkuar në Krishtin”.
Në fund të Lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, Papa përmendi hapjen e Kongresit të 25-të Eukaristik Italian në Ankona, ku edhe ai vetë do të shkojë të dielën e ardhshme, për të kremtuar fundin e Takimit:
“Të dielën e ardhshme, dashtë Zoti, do të kem kënaqësinë të shkoj në Ankona për ditën kulmore të Kongresit. Që tani i përshëndes përzemërsisht dhe u jap bekimin tim të gjithë pjesëmarrësve në këtë takim, i cili në të Shenjtnueshmin Sakrament të Eukaristisë adhuron e lëvdon Krishtin, burim jete e shprese për çdo njeri e për mbarë botën”.
Pasi uroi në polonisht, që viti i ri shkollor e katekistik të jetë rast për fëmijët e të rinjtë të rriten “në moshë, në dituri e në hir”, mendimi i fundit i Atit të Shenjtë iu drejtua një grupi nga Shoqatat e Krishtera të Punëtorëve Italianë (ACLI), të cilat sapo kanë përfunduar një takim studimi, 30 vjet pas Enciklikës së Papës Gjon Pali II “Laborem Exercens”. “Vlerësoj shumë – u tha Benedikti XVI – vëmendjen tuaj për këtë Dokument, që mbetet një nga gurët kilometrikë të Doktrinës Shoqërore të Kishës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.