2011-09-03 12:16:12

Shën Gregori i Madh model për barinjtë dhe autoritetet civile


Benedikti XVI: Shën Gregori i Madh, Papë i mesjetës e model për barinjtë dhe autoritetet civile të mijëvjeçarit të tretë. Benedikti XVI foli mbi figurën e jashtëzakonshme të shën Gregorit të Madh, Papë gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të 4 shtatorit 2006 në Kastelgandolfo.
“Jeta e bariut të shpirtrave duhet të jetë një sintezë e drejtpeshuar kundrimi dhe veprimi.” tha Papa dje gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Castel Gandolfo duke sjellë ndërmend kujtimin e sotshëm të Shën Gregorit të Madh Papë. Një figurë – tha Ati i Shenjtë – që është model qoftë për barinjtë e Kishës qoftë për nëpunësit e administratës. Pastaj duke iu drejtuar shtegtarëve gjermanë, Papa tha se mezi ç’pret të takojë bashkatdhetarët e vet në udhëtimin e ardhshëm në Bavari.
Një papë i mesjetës, shembull për barinjtë e Kishës dhe për nëpunësit e administratës të mijëvjeçarit të tretë. Benedikti XVI portretizoi figurën e Shën Gregorit të Madh, që jetoi prej 540 deri në 604 pas K., në fillim prefekt i Romës, kur ishte vetëm 30 vjeç, pastaj murg e në fund Papë. “Si funksionar perandorak u dallua për aftësi administrative edhe dinjitet moral”, si murg u zgjodh nga Papa si përfaqësues i tij pranë Perandorit të Lindjes, duke mbajtur gjithmonë “një stil jete manastiri, i thjeshtë dhe i varfër”.
Në fund, shpallur si mëkëmbës i Krishtit – vuri në dukje Benedikti XVI – “kërkoi me çdo mënyrë t’i ikte atij emërimi, por iu deshtë të dorëzohej në fund dhe, pasi la kiostrin, iu kushtua bashkësisë, i vetëdijshëm se po përmbushte një detyrë dhe se ishte thjeshtë “një shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit.”
“Nuk është me të vërtetë i përvuajtur — shkruante — ai që kupton se duhet të udhëheqë të tjerët sipas vullnetit hyjnor dhe megjithatë e përçmon këtë gjë të spikatshme. Por nëse, përkundrazi u nënshtrohet udhëzimeve dhe nuk këmbëngul dhe është i pajisur me ato dhanti me të cilat mund të ndihmojë të tjerët, kur i caktohet posti më i lartë i qeverisjes së shpirtrave, ai me zemër duhet t’i shmanget, por edhe pse kundër dëshirës duhet t’i bindet.” (Rregulli baritor, I, 6)
Shën Gregori – vuri në dukje Papa – i pa pushtimet barbare me besim: “Me një largpamësi profetike, Gregori kuptoi se një qytetërim i ri po lindte nga trashëgimia romake dhe të ashtuquajturit “barbarë” falë forcës bashkuese dhe ngritjes morale të Krishterimit. Jeta e murgut po shfaqej si një pasuri jo vetëm për Kishën por edhe për krejt shoqërinë.”
“I ligsht nga shëndeti por i fortë nga bindjet morale – kujtoi Papa– Shën Gregori i Madh zhvilloi një veprimtari të gjerë baritore dhe qytetare.” E famshme reforma e të kënduarit liturgjik, që prej emrit të tij u quajt “gregorian”:
“Jeta e një bariu shpirtrash duhet të jetë një sintezë e drejtpeshuar kundrimi dhe veprimi, e gjallëruar nga dashuria që “prek maja shumë të larta kur përkulet me mëshirë mbi të këqijat e thella të të tjerëve. Aftësia për t’u përkulur mbi mjerimin e të tjerëve është përmasa e forcës së vrullit [drejtuar] lart (II, 5)







All the contents on this site are copyrighted ©.