2011-09-03 16:29:59

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


E diel 4 shtator, Kisha kremton të dielën e 23-të gjatë vitit, e po sot më 4 shtator kalendari kishtar përkujton edhe shenjtorët Bonifacin I papë, Marinin vetmitar, Rozalinë Virgjër palermitane e Moisiun, ligjvënës e profet. Liturgjia na kujton se ligji i Zotit nuk i kundërvihet kurrë së mirës së njeriut. Përkundrazi, e mbron atë.
Të hënën me 5 shtator, kalendari shënon një nga emrat më të dashur për të gjithë shqiptarët: festën liturgjike zyrtare të Kishës katolike kushtuar së Lumes Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut e cila, në festën e Saj liturgjike na fton të reflektojmë mbi udhën që përshkoi, për t’u lartuar në nderimet e elterit. Pra Kisha e posaçërisht bota shqiptare do të përkujtojë 14-vjetorin e ndërrimit të jetës së Nënë Terezës, Misionares së bamirësisë e të dashurisë.
Gjithçka është e mundur për atë që jeton me fjalët ngushëlluese të Krishtit Zot. Të galdojmë pra në dritën e mbretërisë së Tij Hyjnore.
Të martën më 6 shtator kalendari kishtar përkujton shën Zakarinë profet, shën Onesiforin, dishepull i shën Palit Apostull, të cilët na kujtojnë se Jezu Krishti nuk erdhi mbi tokë për të kërkuar suksesin personal të tij, as për t’i kënaqur dëshirat tona egoiste, por erdhi për të bërë vullnesën e Atit, që e ka dërguar në kërkim të deleve të humbura, kudo qofshin ato.
Të mërkurën më 7 shtator, sipas kalendarit kishtar përkujtohet shën Regjina, virgjër e martire dhe shën Guidon, ipeshkëv të Arecos. Liturgjia na kujton se Zoti nuk banon në tempuj të ndërtuar nga duar njerëzore. Ai është gjithkund. Është shpirt që shfaqet në mënyra nga më të ndryshmet. Zoti kërkon burra e gra që dinë të duan me dashuri të pamasë, e cila nuk shprehet me fjalë, por me vepra të kryera për hir të dashurisë së Krishtit. Psalmi 99 na grish t’i drejtohemi Hyjit duke thënë: Bekuar qoftë Zoti, lumnia e popullit të vet.
Të enjten e ardhshme me 8 shtator, bie e kremtja e madhe e të Lindurit të Virgjërës Mari, Zojës së Papërlyer. Zoti ka vënë në të burimet e jetës, është e zgjedhura mbi të gjitha gratë. Papa Benedikti XVI në takimin me të rinjtë në Loreto ndër të tjera pohoi: Jezu Krishti është mishëruar në kraharorin virgjëror të një vajze, në një vend të vogël të Galilesë; është lindur në Betlehem, në një vend të thjeshtë të Judesë, e në shtëpinë e varfër të Nazaretit është rritur duke vënë themelet e misionit shpëtimtar. Gjithnjë më 8 shtator, kalendari kishtar kujton edhe shën Sergjin I, papë
Të premten më 9 shtator, kalendari përkujton shën Pjetrin Klaver, meshtar jezuit, apostull i zezakëve të internuar. Ndikoje mbi ne o Zot, hirin tënd. “Të jemi gati” sa herë kaplohemi nga frika se nuk jemi gati! E nuk duhet të shqetësohemi nëse i kemi në rregull dokumentet, por nëse nuk e kemi jetuar jetën si dhuratë për vëllezërit, për çdo vëlla!
Të shtunën më 10 shtator, kalendari kujton shën Nikolën nga Tolentino, meshtar agostinian. Liturgjia e ditës na kujton: Nëse duam të jemi të bashkuar me Krishtin nuk duhet të duam vetëm që njerëzit që janë të mirë e na binden, por duhet të punojmë në mënyrë që të gjithë njerëzit të njohin veprat e mëdha të Zotit e të duan njëri-tjetrin.
Të dielën e ardhshme më 11 shtator, Kisha do të kremtojë të dielën e 24-të gjatë vitit kishtar e po më 11 shtator bie edhe përkujtimi i shenjtorëve Proti e Jacinti, martirë. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është kundër sjelljeve formale, dokeve e zakoneve meskine, krijuar nga traditat njerëzore, që ndryshojnë me kohë, sepse e zvogëlojnë shpirtin e njeriut. Zoti do që njeriu të ecë në rrugën e së mirës me vetëdije e liri të plotë.







All the contents on this site are copyrighted ©.