2011-09-03 16:29:08

Mos e harroni Haitin, emergjenca nuk ka përfunduar


Një vit e gjysëm pas tërmetit shkatërrimtar, që shkaktoi 200 mijë viktima, në Haiti vazhdon emergjenca humanitare. Veçanërisht të rënda janë kushtet e të shpërngulurve, të detyruar të jetojnë në kampe refugjatësh, ku strukturat higjieniko-sanitare mungojnë pothuaj krejtësisht. Kolera përhapet, duke regjistruar çdo ditë 300 shtrime të reja në spital. I drejtuam mikrofonin përgjegjësit të Departamentit ndërkombëtar të Karitasit Italian, Paolo Beçegato, i cili na shpjegon gjendjen:
Edhe sot e kësaj dite është akoma një emergjencë humanitare e ndërlikuar, ku shumohet mëse një fenomen, përveç tërmetit. Kemi gjendje politike të paqëndrueshme, ambient të shkatërruar nga shpyllëzimi i mëparshëm, rrezik nga uraganet tropikale, që herë pas here, godasin këtë vend, i cili mbetet një nga skenarët më të varfër të botës. Kemi kontakte me vullnetarët tanë në vend, që na thonë se gjendja është shumë delikate, sidomos për ata, që nuk kanë mundur të kthehen në shtëpitë e tyre. Shifrat janë të pasakta: burimet qeveritare flasin për rreth 630 mijë vetë, por në të vërtetë janë shumë më tepër. Në Haiti ka akoma tenda e kampe me tenda, që administrohen keq, pasi nuk respektohen normat elementare të sigurisë. Për shembull, ka rrezik zjarri, por edhe furnizimi me ujë e me banjo është i vështirë.
Këtu kemi një tragjedi e sidomos, një emergjencë, që vazhdon prej kohësh. E megjithatë, rrezikon të harrohet para emergjencave, që bota po përballon përditë…
Po, sidomos nëse mendojmë për përmasat e kësaj katastrofe, që është sigurisht një nga më të këqiat e dhjetëvjeçarit të fundit, së bashku me tsunamin aziatik, pasi bilanci i viktimave, i të plagosurve dhe i dëmeve është një nga më të rëndët. Sigurisht që mungesa e informacionit për t’i ndjekur ngjarjet në kohë e vendos Haitin jo në plan të dytë, por në fund të listës. Nuk është e nevojshme të flitet përditë, por duhet folur për etapat më të rëndësishme, institucionale dhe politike nga njëra anë dhe, shoqërore e humanitare nga ana tjetër.







All the contents on this site are copyrighted ©.