2011-09-03 12:55:00

Liturgjia e Fjalës e dielës së 23-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të meshës së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 23-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Bashkësia e besimtarëve rritet e përforcohet me gjeste konkrete të dashurisë: ndreqjen apo korrigjimin vëllazëror dhe uratën.
Leximet biblike të kësaj së diele na paraqesin përmasën kishtare në brendësinë e saj, duke pasur parasysh marrëdhëniet e anëtarëve të Kishës. Misteri i Kishës jetohet e përjetohet në nivele të ndryshme të strukturës së saj të dukshme, pra të jashtme, por përgjithësisht realizohet në dashurinë e jetës që karakterizon sjelljet e secilit në marrëdhëniet e përditshme të jetës së tij. Bashkësia fetare rritet me gjestet konkrete të dashurisë së çdo anëtari: përmes korrigjimit apo ndreqjes së gabimeve vëllazërore dhe lutjes. Çdo korrigjim i vërtetë i vëllait dhe të afërmit tonë, pra i tjetrit duhet të buron vetëm nga dashuria që ia kemi borxh vëllait e të afërmit tonë, e këtë detyrë të ushtrimit të dashurisë së korrigjimit ndaj vëllait që gabon e mëkaton, duhet ta bëjmë me ndërgjegjësim njerëzor e të krishterë. Tërheqjen e vërejtjes e korrigjimin e tjetrit, gjithmonë duhet ta kryejmë me plotë përvujtëri e me dashuri ungjillore. Jezusi në Ungjillin e kësaj së diele na tregon edhe mënyrën e korrigjimit e na thotë se në dialogun vetëm për vetëm me vëllain, është e mundur ta “shpëtosh” ” vëllain tënd nga gabimi e nga mëati, që do të thotë ta fitosh përsëri, ta ri-kthesh bashkimin e jetës dhe harmoninë me vëllain që ka gabuar e mëkatuar.
Kështu pra, mund të themi se tema qendrore e leximeve biblike të kësaj së diele është miqësia dhe vëllazërimi ndërmjet të gjithë anëtarëve që formojnë e përbëjnë bashkësinë njerëzore dhe atë kishtare të besimtarëve. Pra leximet biblike të kësaj së diele na ofrojnë për meditim dhe udhëtim shpirtëror për rregullimin e marrëdhënieve tona të ndërsjellët në jetën e përditshme në familje, në bashkësi fetare e shoqërore: dashurinë dhe qortimin vëllazëror.
Çdo i krishterë e ka për detyrë këtë urdhër të dashurisë e të qortimit vëllazëror të anasjelltë, sepse ne jemi anëtarë të të njëjtit trup mistik të Krishtit, që është Kisha, dhe për organizmin e funksionimin sa më të mirë të një bashkësie, nuk është punë indiferente nëse një anëtar i saj e dëmton apo lëndon vetveten me gabime e me mëkate, sepse në atë mënyrë e prekë edhe jetën e të gjithë anëtarëve të tjerë të bashkësisë njerëzore e fetare. Qortimi, e nëse është nevoja edhe korrigjimi i tjetrit, mund e duhet të bëhet, por gjithmonë duhet bërë në atë mënyrë që na porosit Krishti në Ungjill, duke synuar përherë rifitimin, kthimin e të afërmit e të vëllait tonë, pra pajtimin dhe e assesi, gjykimin e tjetrit e dëbimin e tjetrit. Kurrë pa tjetrin.
Në leximin e parë nga Ezekieli profet, Zoti na thotë: ty të kam vënë si rojtar e si zë për vëllezërit tu. Në leximin e dytë të kësaj së diele Palit na kujton se: “keni vetëm një detyrim atë të dhurimit të dashurisë reciproke” . E tani ju ftojmë ti dëgjojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 23-të gjatë vitit kishtar, së bashku me homelinë…RealAudioMP3
Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Ez 33, 7-9)
Nëse ti nuk i flet të patenzonit, unë do të kërkoj gjakun e tij prej dorës sate kur ai të vdesë.

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

Kështu thotë Zoti: “Ty, o biri i njeriut, unë do të kam vënë për rojtarin e shtëpisë së Izraelit. Kur ta dëgjosh një fjalë prej gojës sime, qortoji ata në emër tim. Në qoftë se unë të them për të paudhin: ‘I paudhë do të vdesësh!’, e ti nuk i thua që i patenzoni të largohet nga udha e tij e mbrapshtë, i paudhi do të vdesë në fajësinë e vet, kurse unë gjakun e tij do ta kërkoj prej dorës sate. Por, në qoftë se e qorton të patenzonin, që të kthehet nga rruga e vet e ligë, kurse ai nuk kthehet, ai do të vdesë në fajësinë e vet, por ti e ke shpëtuar jetën tënde.”
Fjala e Zotit.

Psalmi 95 (94)
Ref: O Zot, bëj që ta dëgjojmë zërin tënd
_____________________________
Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje,
t’i këndojmë këngë hareje!
_____________________________
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së tij,
grigja që ai e ruan.
_____________________________
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
_____________________________

Leximi i dytë (Rom 13, 8-10)
Dashuria është zbatimi i përsosur i Ligjit.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, askujt të mos i keni tjetër detyrim, përveç detyrimit që ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin, e ka plotësuar ligjin. Sepse: ‘Mos bëj kurorëthyerje! Mos vrit! Mos vidh! Mos lakmo!’ e nëse ka edhe ndonjë tjetër urdhër, është i përfshirë në këto fjalë: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Dashuria nuk i bën keq të afërmit. Dashuria, pra, është zbatimi i përsosur i ligjit.

Fjala e Zotit

Ungjilli (Mt 18, 15-20)
Ne qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllain tënd.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Në qoftë se vëllai yt mëkaton kundër teje, qortoje vetëm për vetëm. Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllain tënd. Po qe se nuk të dëgjon, merre me vete edhe një ose dy njerëz të tjerë, që çdo gjë të mbështetet në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve. Në qoftë se as ata nuk i dëgjon, tregoji Kishës. Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës.
Përnjëmend po ju them: çdo gjë që ju të lidhni përmbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell, dhe çdo gjë që ju të zgjidhni mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.
Prapë po ju them: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo sendi, Ati im që është në qiell do t’ua japë. Sepse ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre.”
Fjala e Zotit!







All the contents on this site are copyrighted ©.