2011-09-03 16:29:30

Festivali i filmit në Venedik. Edhe Kisha jep çmime


Ka filluar më 31 gusht e do të përfundojë më 10 shtator, Festivali i 68-të ndërkombëtar i Artit Kinematografik në Venedik të Italisë. Në këtë kuadër, nesër në orën 11.00, do t’i jepet Çmimi Robert Breson vëllezërve Zhan Pierr e Lyk Darden, kineastë me origjinë belge, që trajtojnë çështje të rëndësishme shoqërore. Çmimi do t’u dorëzohet nga kryetari i Këshillit Papnor për Komunikimet Shoqërore, kryeipeshkvi Klaudio Maria Çeli.
Gjatë ditës së fundit të Festivalit do të jepen edhe Çmimet “Naviçela” dhe “Signis” 2011. “Naviçela” i jepet atij regjizori, që në filmin e paraqitur në konkurs vë në pah vlera të veçanta njerëzore, sipas vlerësimit të një jurie të përbërë nga kritikë dhe bashkëpunëtorë të “Revistës së Spektaklit”, pjesë e festivalit. Të njëjtën përmbajtje ka edhe Çmimi “Signis” i Organizatës Katolike Botërore për Komunikimin, që do t’i jepet filmit më domethënës për ndjeshmërinë njerëzore e shpirtërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.