2011-09-03 16:28:44

Doli nga shtypi libri i fundit, që përmbledh katekizmin e Papës për Doktorët e Kishës


Shtëpia Botuese e Vatikanit LEV nxorri nga shtypi kohët e fundit një libër, që përmbledh katekizmin e Papës Benedikti XVI mbi Doktorët e Kishës. Është kapitulli i 11-të i asaj “biblioteke”, që Ati i Shenjtë po e mbush me meditimet e tij gjatë audiencave të përgjithshme të së mërkurës, duke filluar me Apostujt, për të kaluar tek Etërit e Kishës e deri tek mjeshtrat e shkrimtarët – burra e gra – të Mesjetës. Kësaj biblioteke i shtohet tani katekizmi i Papës gjatë muajve të parë të vitit 2011, protagonistët e të cilit janë disa nga figurat e shquara të krishterimit të shekullit të 16-të dhe të 17-të.
Shenjtja e vetme, më e afërt me ditët tona, me të cilën Benedikti XVI mbyll katekizmin mbi Doktorët e Kishës, më 6 prillin e këtij viti, është shën Tereza e Liziësë, që ka jetuar në fund të viteve ‘800. Të tjerët janë gati bashkëkohës, por kanë jetuar 200-300 vjet më parë, në krahasim me të. Një epokë e vështirë për Kishën, koha e Reformës Luterane dhe e Koncilit të Trentos, kur u ndanë katolikët nga protestantët. Në shkurtin e në prillin e këtij viti, Papa përvijon profilet e “të mëdhenjve” të kësaj faze: shën Tereza e Avilës, shën Gjoni i Kryqit, shën Françesku i Sales, shën Alfons Maria de Liguori. Por në libër, dalin në pah edhe tri figura të tjera, ndoshta më pak të njohura, të lidhura nga një fill, që mund të sintetizohet kështu: në një periudhë, në të cilën – për shkak të Reformës Protestante – shihet shpesh mbizotërimi i ‘retorikës së zemërimit’ (siç e quan Papa), tre Doktorë të Kishës dallohen për inteligjencën e fesë e, në veçanti, për guximin, që e shprehin përmes mirësisë e butësisë.
Në fillim të shkurtit, Benedikti XVI flet për shën Pjetër Kanizin, një jezuit hollandez, që në gjysmën e dytë të viteve ‘500 çon mesazhin e Krishtit në zemër të protestantizmit gjerman, me një stil krejt të vetin:
“Në një çast historik, me kontraste të forta fetare, shmangte – e kjo ishte diçka e jashtëzakonshme – ashpërsinë dhe retorikën e zemërimit – diçka e rrallë në ato kohë diskutimesh ndërmjet të krishterëve, nga njëra e nga pala tjetër – dhe synonte vetëm paraqitjen e rrënjëve shpirtërore e rigjallërimin e krejt korpit të Kishës” (Audienca e përgjithshme, 9 shkurt 2011).
Shën Pjetër Kanizi u flet njerëzve thjesht e qartë, duke vënë në pah rëndësinë e lutjes së përditshme, të Meshës ditën e dielë, pra të asaj jete të krishterë, që ka në qendër Jezusin. Në të njëjtin drejtim lëviz edhe shën Robert Belarmino, 20 vjet më i ri, që arrin të bëhet kardinal pa u shkëputur nga besimtarët e dioqezës së vet, të cilëve u flet gjithnjë, tregon Papa, për “mirësinë pa fund të Zotit”:
“Ai shmang çdo këndvështrim polemik e agresiv për idetë e Reformës, por duke përdorur argumentet e arsyes e të Traditës së Kishës, ilustron qartë e frytshëm doktrinën e krishterë… Predikimet dhe katekizmi i tij kanë atë karakter thelbësor, që e kishte mësuar nga edukimi injacian, i gjithi i përqëndruar në drejtimin e forcave të shpirtit mbi Zotin Jezu Krisht, njohur, dashur e imituar me intensitet” (Audienca e përgjithshme, 23 shkurt 2011).
Në vitin 1602, kur kardinali Belarmino bëhet kryeipeshkëv i Kapuas, në Urdhërin françeskan të Kapuçinëve zgjidhet epror i përgjithshëm një shenjt tjetër i ardhshëm, Lorenci nga Brindizi. Benedikti XVI tregon si ai ishte njeri i paqes, me sjellje e me fjalë të qeta, që e bënin të dashur për besimtarët dhe të besueshëm predikimin për koherencë në jetën e krishterë. Forca e shën Lorencit nga Brindizi, pohon Papa, lind nga lutja intensive, e përhershme. Kjo e mban larg nga “aktivizmi” i tepruar, prej të cilit duhet të ruhen të krishterët e sotëm, përfshirë meshtarët:
“Edhe sot, ungjillëzimi i ri ka nevojë për apostuj të përgatitur, të zellshëm e të guximshëm, që drita dhe bukuria e Ungjillit të mbizotërojnë mbi orientimet kulturore të relativizmit etik dhe të indiferencës fetare e të shndërrojnë mënyrat e ndryshme të të menduarit e të të vepruarit në humanizëm të vërtetë të krishterë” (Audienca e përgjithshme, 23 mars 2011).







All the contents on this site are copyrighted ©.