Ministri i Jashtëm E. Hoxhaj kërkon fundin e strukturave ilegale në veri të Kosovës.
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për të përditshmen
franceze "La Croix", edhe një herë ka akuzuar Beogradin se po fsheh strukturat kriminale
ilegale në veri të Kosovës. Sipas MPJ-së kosovare, me këtë rast, Hoxhaj tha se
Serbia duhet të shpërbëjë strukturat ilegale dhe kriminale të saj në Kosovë, si parakusht
për paqe, stabilitet dhe bashkëjetesë në Kosovë. "Serbët janë të përfaqësuar në
Qeverinë qendrore, Parlament dhe në gjashtë komuna. Plani i Ahtisaarit garanton të
drejtat dhe përfaqësimin e minoritetit serb si askund tjetër në Evropë. Ky plan duhet
të zbatohet në veri të Kosovës. Është koha që Serbia të shpërbëjë strukturat shtetërore
dhe paramilitare", ka shtuar Hoxhaj. Ministri i Jashtëm kosovar Hoxhaj, në këtë
intervistë, sqaroi edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit
ndaj mallrave serbe. Sipas Hoxhajt, Serbia në 3 vitet e fundit ka eksportuar mallra
në Kosovë, ndërsa Republika e Kosovës e ka pasur të ndaluar të eksportojë në Serbi
dhe përmes saj në Evropë. "Kishte një asimetri. Gjatë pesë takimeve të para të
dialogut, serbët kanë vonuar trajtimin e kësaj çështjeje. Me 21 korrik, ne shpresonim
të flisnim për këtë, por ata bojkotuan dialogun. Kemi vendosur të aplikojmë reciprocitetin:
nëse Serbia nuk pranon mallrat nga Kosova, edhe Kosova nuk pranon mallrat nga Serbia",
ka theksuar Hoxhaj.