2011-09-01 13:17:53

Çelësi i fjalëve të Kishës: domethënia e fjalës ”Kishë”!


Sot, do të flasim për një fjalë, që besimtarët e përdorin gjithnjë, por rrallë hulumtojnë për t’ia gjetur kuptimin e plotë. Është domethënia e fjalës ”Kishë”.
Origjinali grek ”ekklesìa”, që përmendet 114 herë në Besëlidhjen e Re, rrjedh nga fjala ”kaléin”, ”për të thirrur”: prandaj Kisha s’është tjetër veçse ”mbledhja” e të krishterëve nga ana e Zotit përreth Fjalës së Hyjit dhe Eukaristisë, është ”asambleja” e atyre, që i bashkon një fe e vetme dhe dashuria vëllazërore. Të njëjtin kuptim kishte edhe fjala hebraike ”qelah-Jhwh”, bashkësia fetare e Izraelit. Të bukura janë fjalët e Shën Palit Apostull: ”Buka, të cilën ne e ndajmë, a nuk është bashkim me Trupin e Krishtit? Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm” (1 Kor 10,16-17). Në këtë pohim, përvijohet konceptimi i Kishës si Korpi i Krishtit, që Apostulli do ta përmendë më vonë në të njëjtën Letër drejtuar Korintianëve (kap. 12).
Ashtu si gjatë ekzistencës së tij tokësore, Krishti ofroi mesazhin, shëlbimin e praninë e Tij hyjnore përmes trupit, kështu tani, vepra e Tij vazhdon përmes trupit, apo ”korpit” të Tij, që është Kisha. Asaj pra, i përket detyra e shpalljes së Lajmit të Mirë, e bamirësisë, e dëshmisë; shumëllojshmëria në gjirin e saj nuk duhet të jetë burim ndarjeje, por harmonie, ashtu siç ndodh me trupin e njeriut, në të cilin, organet e ndryshme i shërbejnë të njëjtit qëllim. Kjo ishte mëse e dukshme në Kishën e Jeruzalemit, e cila i kishte rrënjët në ”koinonìa”, pra në bashkimin vëllazëror (Vap 2,42-48; 4,32-35).
Në shkrime të tjera paoline, përvijohet një profil i ri, sipas të cilit Kisha është korpi, pra trupi, ndërsa Krishti është kryet (Kol 1,18), duke nënvizuar kështu, ndërthurjen e fuqishme të njerëzimit me hyjninë brenda bashkësisë kishtare. Misioni i Kishës në histori i është besuar shën Pjetrit: ”Ti je Pjetër-Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time” (Mt 16,18), por bazohet edhe mbi veprat e apostujve të tjerë dhe mbi ministrat, që na paraqesin Letrat e shën Palit, si ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët (shih 1 Tm 3,1-13; Tt 1,5-9).
Një nga detyrat kryesore të Kishës është predikimi, të cilit i duhet shtuar edhe falja e mëkateve (Mt 16,19; 18,18; Gjn 20,22-23). Kemi pastaj, misionin, që u takon të gjithë të krishterëve të pagëzuar, siç thotë shën Pjetri Apostull, në Letrën e tij të parë: ”Ju jeni: fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij, që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme” (1 Pjt 2,9). Kisha zbulon para botës dy anë të së njëjtës medalje: bashkësinë lokale, që mblidhet për të dëgjuar mësimet e apostujve, në bashkim vëllazëror, në Eukaristi e në lutje (Vap 2,42), por edhe Kishën universale, korpi mistik i Krishtit në kohë e në hapësirë.
Portreti i Kishave të ndryshme, që del si nga letrat e Shën Palit, si nga Veprat e Apostujve, ashtu edhe nga Libri i Zbulesës (kap. 2-3), tregon se në to kishte tensione dhe ndryshime. Kjo s’është tjetër, veçse shenja e ”mishërimit” të Zotit në kushte të ndryshme njerëzore, historike, etnike e kulturore. Por siç thotë Ungjilli i Shën Mateut, për të qenë ”kripa e tokës dhe drita e botës” (Mt 5,13-14), Kisha ka nevojë të bashkohet e ”me ndihmën e Shpirtit Shenjt, të ruajë thesarin e paçmueshëm të fesë, që iu besua” (2 Tm 1,14).







All the contents on this site are copyrighted ©.