2011-09-01 12:13:30

Në fund të shtatorit udhëtimi i tretë i Papës në Gjermani


Udhëtimi i tretë i Benediktit XVI në Gjermani, në vendlindje të tij, pas vizitës në Këlnë më 2005 e në Bavari më 2006 sivjet do të paraprihet nga vizita e shkurt në Ankona të Italisë me rastin e mbylljes së kongresit të 25-të Eukaristik kombëtar të Kishës Italiane.
Udhëtimi apostolik i Papës Ratcinger në Gjermani do të zhvillohet nga data 22 deri më 25 shtatorin e ardhshëm në Berlin, Erfurt e Friburg, duke përshkuar kështu vendet e Martin Luterit.
Takimet politike e institucionale të Atit të Shenjtë Ratcinger janë paraparë në ditën e 22 shtatorit, e do të kenë kulmin me takimin me kancelaren federale të Gjermanisë Angela Merkel dhe me fjalimin e Papës në Reichstag të Berlinit.
Domethënës – nënvizon Shërbimi Informativ Fetar Gjerman – është edhe takimi i Benediktit XVI me bashkësinë hebraike, që do të mbahet në një nga sallat e Reichstagut.
Dita e dytë e vizitës së Papës në Gjermani do të ketë karakter ekumenik e ndërfetar, me takimin me bashkësinë islame, para transferimit në Erfurt, ku në kuvendin e etërve agostinianë, që Luteri e kishte përzemër, do të mbahet takimi i parë i Benediktit XVI me përfaqësuesit e Kishës ungjillore dhe pastaj kremtimi ekumenik.
E shtuna e 24 shtatorit hapet me kremtimin e Meshës së Shenjtë në Katedralen e Erfurtit, vijon më pas me vizitën në Katedralen e Friburgut. Këtu Papa do të ketë rastin për të përshëndetur ish-kancelarin Helmut Kohl, në vijim do të pasojnë takimet e Benediktit me anëtarët e Kishave ortodokse, me seminaristët dhe me Këshillin e Komitetit qendror të katolikëve gjermanë (Zdk). Në përfundim, në panairin e Friburgut, do të mbahet lutja mbrëmësore e Papës me të rinjtë.
Në ditën e fundit të vizitës apostolike në Gjermani, Benedikti XVI, pas kremtimit të Meshës së Shenjtë, do takojë ipeshkvijtë e vendit gjatë drekës, më vonë do të takohet me gjykatësit e Gjyqit kushtetues federal të Gjermanisë dhe me katolikët e angazhuar në Kishë e në shoqëri. Kthimi i Atit të Shenjtë Jozef Ratcinger në Vatikan është paraparë rreth orës 21 të 25 shtatorit.







All the contents on this site are copyrighted ©.