2011-09-01 12:14:03

Atë Picabala e imzot Shomali: mos kini frikë të shtegtoni në Tokën Shenjte.


“Ejani në Tokën Shenjte! Nuk ka kurrfarë rreziku! Jeruzalemi i pret gjithnjë me krahë hapur bijtë e vet” – kjo është thirrja e Rojtarisë së Tokës Shenjte, pas rënies së ndjeshme të numrit të shtegtarëve gjatë katër muajve të fundit. Shkaku i këtij pakësimi duhet kërkuar tek kriza ekonomike e, posaçërisht, tek mungesa e stabilitetit në Lindjen e Mesme. Por, kujtojnë zërat autoritare, që përhapen nëpër botë nga Toka Shenjte, shtegtarët nuk duhet të kenë frikë. E këtë e thekson edhe Rojtari i Tokës Shenjte, atë Pierbatista Picabala, me telefon, nga Jeruzalemi:

Përgjigje: - Deri në maj, numri i shtegtarëve ishte shumë i madh, shumë më i madh se vitin e kaluar. Pastaj, pak nga pak, me krizën ndërkombëtare por edhe, e sidomos, me ndryshimet në botën arabe, u ndje një rënie e menjëhershme, që vijon të thellohet edhe sot e kësaj dite. Kjo krijon jo pak shqetësim, posaçërisht në gjirin e bashkësisë së krishterë, sepse për këtë bashkësi, prania e shtegtarëve është burimi kryesor i jetesës. Ajo që dëshirojmë të pohojmë është se, pavarësisht nga ç’po ndodh në botën arabe, Toka Shenjte e shtegtimi në këto troje, janë krejtësisht të sigurta. Nuk ka kurrfarë rreziku. Asnjë lloj rreziku, pra, nuk i kërcënon shtegtarët, që duan të vizitojnë Viset e Shenjta. Nuk duhet të kenë frikë, prandaj, për të ardhur e për ta provuar këtë përvojë, që mbetet e paharrueshme për këdo.

Pyetje: - E kjo duhet parë jo vetëm si përvojë e jashtëzakonshme, e paharrueshme, por edhe si mbështetje për bashkësinë e krishterë të Tokës Shenjte....

Përgjigje: - Është e vërtetë, një pjesë e mirë e të krishterëve bën punë, që lidhen me shtegtimin e me shtegtarët, në fushën e atij, që njihet me emrin “turizëm fetar”, siç e quajnë edhe këtu, prandaj mund të themi se shtegtari, që vjen për të ecur mbi gjurmët e Jezusit, gjë që ka shumë rëndësi, i jep edhe ndihmesën e vet, i jep mbështetjen, solidaritetin, bashkësisë së krishterë, e cila, siç dihet nga të gjithë, është e vogël dhe gjithnjë nevojtare për ndihmë e solidaritet. E përsëris, shtegtimi në Tokën Shenjte është absolutisht i sigurt, nuk ka kurrfarë rreziku. Këta pak shtegtarë, që ndodhen këtu në këtë periudhë, mund ta dëshmojnë se është një përvojë shumë e bukur, se ia vlen të shtegtosh e se nuk duhet të trembesh fare, sepse nuk të pret asnjë e papritur, përveç të papriturave, tepër emocionante, të ecjes në gjurmët e Besëlidhjes së Vjetër e të Re.


Me thirrjen e Rojtarisë së Tokës Shenjte, bashkon zërin edhe Patriarkana latine e Jeruzalemit. Në mikrofonin tonë, ipeshkvi ndihmës, imzot Uiljam Shomali, ndalet në mënyrë të posaçme tek kontributi që jep figura e shtegtarit për paqen në Tokën Shenjte:

Përgjigje: - Bashkohem me thirrjen e Rojtarisë së Tokës Shenjte për t’u kujtuar të gjithëve se nuk duhet të kenë frikë. Toka Shenjte është udha e shtegtarëve, itinerari i shtegtarëve, të cilët sot janë më të sigurt se kurrë. Vetëm paraditen e sotme pritëm 400 senegalezë, që erdhën në Patriarkanën latine e mbetën shumë të kënaqur. Shtegtarët, që erdhën kohët e fundit, nuk pësuan asnjë dëm, përkundrazi, u kënaqën shumë. U bëjmë thirrje të gjithë atyre, që kanë dëshirë të vijnë, por i pengon një farë frike nga situata në vendet arabe: ejani pa frikë, ejani në Tokën Shenjte, kthejuni në këto vise, më të fortë se kurrë!

Pyetje: - Kush niset për shtegtim në Tokën Shenjte, bëhet edhe simbol i bashkimit me të krishterët e kësaj Toke të bekuar...

Përgjigje: - Pikërisht! Por edhe simbol i solidaritetit me të gjithë banorët, sepse shtegtari është simbol i paqes, figurë e mirëpritur nga të gjithë, myslimanë, të krishterë, hebrenj, e mund të them, pa e tepruar aspak, se figura e shtegtarit është urë, që i lidh të gjithë; shtegtari bën një vepër paqeje, e jo vetëm me lutjen e vet, por edhe me praninë e vet në këto vise.

Pyetje: - Në Tokën Shenjte, a ka tension lidhur me kërkesën e OKB-së për njohjen e një Shteti palestinez: cilat janë shpresat tuaja, edhe në këtë këndvështrim, për paqen në zonë?

Përgjigje: - Ne presim një vendim të guximshëm nga ana e Kombeve të Bashkuara. Mendoj, prandaj, se njohja e një Shteti palestinez nga Kombet e Bashkuara, do ta kufizonte dhunën në rajon e edhe antisemitizimin e urrejtjen, që vijojnë në të katër anët e botës. Mendoj se është në interesin e Izraelit njohja e një Shteti të pavarur palestinez, e në interesin e palestinezëve, njohja e të drejtave të hebrenjve për të pasur një Shtet. Është në interesin e të gjithëve njohja e dy shteteve, që jetojnë në harmoni, paqe e respekt reciprok.







All the contents on this site are copyrighted ©.