2011-08-31 15:07:47

Shqipëri: Hoxha Artan Kristo predikues i luftës për "xhihad", fiton lirinë


Festa e Bajramit gjen të lirë të akuzuarin për terrorizëm, hoxhën Artan Kristo. I dënuari me 5 vite burg, ka fituar lirinë nga Gjykata e Apelit e Durrësit, pasi kjo e fundit ka rrëzuar si të papranueshme akuzat e ngritura nga prokuroria për njeriun e "xhihadit", bën të ditur e përditshmja GazetaShqiptare.
Hoxha Artan Kristo është 31-vjeçari shkodran që u arrestua mes tetorin e dy viteve më parë, nën akuza të forta që lidheshin me thirrje për akte terroriste të zbuluara nga SHISH, më pas të verifikuara për muaj me radhë nga prokuroria e Tiranës.
Hoxha Artan Kristo, emri i të cilit shënohet herët në dosjet e policisë dhe të Prokurorisë që me vrasjen e Sali Tivarit në janarin e 8 viteve më parë, doli para gjykatës së Durrësit për t'u njohur me masën përfundimtare të gjykimit më 10 dhjetor të vitit 2010.
Prokurori i çështjes, Edmond Kaloshi i kërkoi trupit gjykues të dënojë "terroristin" shqiptar me 5.6 vite burg, por më pas ky trup gjykues vendosi të linte masën e dënimit me 5 vite burg për Kriston. Ky i fundit, asnjëherë nuk pranoi akuzën e ngritur nga hetimi, duke bërë publike disa herë faktin se thirrjet e tij të zbuluara në tri adresa interneti ishin keqkuptuar. Akuza që ngriti prokuroria për të ashtuquajturin ekstremist, ishte ajo e "thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave penale për qëllime terroriste".
"Xhihadi është lufta e shenjtë dhe është obligim e detyrim për çdo mysliman, që jo vetëm të vritet, por edhe të vrasim qafirët që janë bërë pengesë e vendosjes së shtetit islam. Urojmë që kjo ditë të vijë shumë shpejt". Ky ishte një ndër pasazhet që shërbeu si motiv për prokurorinë ta vinte nën akuzë Hoxhën me emrin e vërtetë Artan Kristo, që në forumet ku publikonte bindjet e tij radikale përdorte emrin Muhamed Abdullah Al Albani.
Pak kohe më parë në një raport, DASH përshëndet shtetin shqiptar për arrestimin e Kristos, veorim i kryer në kuadër te luftës kundër terrorizmit..
"Në kuadër të luftës kundër terrorizmit, Shqipëria ka arrestuar më 10 Dhjetor 2010 një imam, pikërisht shtetasin Artan Kristo që u dyshua se që në vitin 2002 kaq punuar me Al-Kaida nëpërmjet fondacionit të bamirësisë ‘Al Haramain Foundation”. Kristo u gjet fajtor nga gjykata në Durrës dhe u dënua me pesë vjet burg për "nxitje dhe propagandim publikisht të akteve terroriste në një forum në internet të quajtur, AlbSelafi.net. Kristo, i njohur gjithashtu si Muhamed Abdullah, e apeloi vendimin dhe ndodhet aktualisht në paraburgim”, citon raporti i DASH nëe mes të muajit gusht të këtij viti. (BalkanWeb)







All the contents on this site are copyrighted ©.