2011-08-31 16:14:33

Papa në audiencën e përgjithshme: “Arti hap portën drejt Bukurisë më të lartë, drejt Zotit”.


Një alfabet me ngjyra. Gjatë audiencës së përgjithshme Papa flet për bukurinë e artit që na afron te Zoti. Arti është një ndër udhët që e çojnë njeriun në takim me Zotin, burim i çdo bukurie. Ky është reflektimi që u propozoi besimtarëve e shtegtarëve të pranishëm në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Kastelgandolfo.Pra, sot paradite Papa e mbajti audiencën e përgjithshme në Sheshin e Lirisë, në Kastel Gandolfo. Katekizmin ia kushtoi artit, parë si udhë, që e çon njeriun drejt Zotit. Më se një herë – theksoi Ati i Shenjtë – kam kujtuar në këtë periudhë, se çdo i krishterë, pavarësisht nga punët e nga shqetësimet e përditshme, duhet të gjejë kohë për Zotin, për lutjen. Zoti vetë na krijon shumë raste, në të cilat nuk mund të mos e kujtojmë. Sot - vijoi Papa - dëshiroj të ndalohem shkurtimisht në përshkrimin e njërës nga rrugët, që të çojnë kah Zoti e të ndihmojnë të takohesh me Të. Është udha e të gjitha formave të shprehjes artistike, pjesë përbërëse e asaj ‘via pulchritudinis” – “Udhe të bukurisë”, për të cilën kam folur më se një herë. Njeriu i ditëve tona duhet ta gjejë përsëri, në kuptimin më të thellë të fjalës ‘Bukuri’.

Ndoshta – vijoi Ati i Shenjtë – secili nga ju e ka provuar emocionin e thellë që ndjehet, kur sodit një shtatore, admiron një pikturë, dëgjon vargje të ndonjë kryevepre poetike a tinguj të ndonjë muzike të përkryer. Para kryeveprave të artit, njeriu emocionohet thellë, pushtohet nga një gëzim i pashpjegueshëm...:
“.. percepton qartë se ajo që ka përballë nuk mund të jetë thjesht materie, një copë mermeri a bronzi, një pëlhurë e pikturuar me bojra, një tufë letrash mbushur me fjalë a një shkulm tingujsh. Jo, nuk mund të jetë kështu. Ajo që njeriu sodit e admiron, është diçka shumë më e madhe, diçka që i flet mendjes, që prek zemrën, që përcjell një mesazh, i cili e larton shpirtin”.
Vepra e artit është fryt i aftësisë krijuese të njeriut, që kërkon të depërtojë në thellësitë e realitetit të dukshëm, të hyjë në fshehtësitë e tij, të komunikojë përmes gjuhës së formave shpalosur në hapësirë, ngjyrave, tingujve, e sidomos, fjalëve:
Arti është në gjendje ta shprehë e ta bëjë të dukshme, nevojën e njeriut për të shkuar përtej asaj, që shikon me sy. Arti shpreh kërkimin e etshëm të pafundësisë. Madje, mund të themi se është portë e hapur, që të çon drejt pafundësisë, drejt një bukurie e një vërtetësie, të cilat shkojnë shumë përtej së përditshmes, të japin flatra, për të sulmuar drejt lartësive”.
Por ka shprehje artistike – tha Papa në vijim- që janë udhë të vërteta drejt Zotit, i cili është vetë Bukuria e burimi i vetëm i saj. Këto udhë të ndihmojnë ta thellosh lidhjen me Zotin, në lutje. Është fjala për vepra, që lindin nga feja dhe e shprehin fenë. Papa solli vetëm një shembull. Kujtoi vizitat në katedralet, duke nisur nga katedralet gotike, që na rrëmbejnë menjëherë mendje e zemër, me vijat e tyre vertikale, lartuar kah qielli, duke na detyruar të ngrejmë lart, për t’i admiruar, shikimin e shpirtin, ndërsa, njëkohësisht, e ndjejmë veten të vegjël, por plot dëshirë për të gjetur udhën e përsosurisë. Kishat romanike, pastaj, ku: gjithçka na fton të gjunjëzohemi, të lutemi, të meditojmë. Perceptojmë, në këto ndërtesa mahnitëse, fenë e të gjitha breznive, që lanë aty, mbi mermeret e dyshemeve, jo vetëm gjurmët e gjunjëve të tyre, por edhe të pranisë së tyre shpirtërore, në kalim, për t’i hapur udhën breznive të reja. E, kur dëgjojmë ndonjë pjesë muzikore kishtare, që na i dridh kordat e zemrës, shpirti ynë lartohet kah Zoti e e ndjejmë praninë e Tij në tingujt, që bëhen kundrim:
“Më vjen shpesh në mendje një koncert me muzikë të Johan Sebastian Bach-ut, që e pata ndjekur në Munih të Bavarisë, drejtuar nga Leonard Bernshtajn. Në përfundim të një Kantate, me të cilën mbyllej koncerti, krejt i pushtuar nga tingujt, ndjeva në thellësitë e zemrës se ajo që dëgjoja, po më ndikonte në shpirt fenë e vetë kompozitorit. Po më prekte aq, sa të më buronin, nga thellësitë e vetvetes, ndjenja falënderimi për Zotin”.
Por sa herë – shtoi Papa - pikturat ose afresket, fryt i fesë së artistit, me format, me ngjyrat, me dritën e tyre, na e lartojnë mendimin kah Zoti e ndezin në shpirtin tonë dëshirën për të njomur buzët në burimin e të gjitha bukurive. Është më se e vërtetë çka shkroi një artist i madh, Mark Shagal, i cili thekson se piktorët për shekuj me rradhë e ngjyen penelin në atë alfabet të shumëngjyrtë, që është Bibla. Prandaj mund të themi se veprat e ndryshme artistike shumë shpesh na ndihmojnë të kujtojmë Zotin, na ndihmojnë të lutemi, na shtyjnë të pendohemi e të kthehemi kah Zoti. Poeti, dramaturgu e diplomati i famshëm francez, Pol Klodel, në sa ishte duke ndjekur Meshën Shenjte në Bazilikën e famshme të Shën Marisë së Parisit, në vitin 1886, duke dëgjuar këngën e Magnificat, pikërisht atë këngë, që këndon Maria pas lajmërimit të Kryeengjëllit, për të Madhëruar Zotin, ndjeu në shpirt praninë e vetë Zotit. Nuk kishte hyrë në Kishë, sepse besonte, por sepse nuk besonte fare. Ishte aty, në një Meshë, të kremtuar mes bukurive të të gjitha llojeve të artit, për të kërkuar argumente, të cilat pastaj do t’i përdorte kundër të krishterëve. E ndërsa i kërkonte, tingujt hyjnor të muzikës kishtare zbritën në thellësitë e shpirtit të tij. Me tingujt, edhe hiri hyjnor. E ai u prek. U shndërrua. Ndjeu se zemra i rrihte ndryshe. Kur doli nga Kisha, ishte njeri tjetër.
Të dashur miq - përfundoi Papa – ju ftoj ta zbuloni rëndësinë që ka kjo rrugë, edhe për lutjen, për takimin tonë të gjallë me Zotin. Në të gjitha vendet e botës, në qytete e në fshatra, mund të gjesh thesare arti, që shprehin fenë e gjallë të artistëve e që e ndihmojnë besimtarin të flasë drejtpërdrejt me vetë Zotin:
“Vizita në viset e artit, atëherë, nuk duhet shikuar vetëm si rast për pasurimin kulturor. Të mos harrojmë: një rast i tillë mund të kthehet shpesh në çast hiri, në shtytje për ta fuqizuar lidhjen tonë e dialogun tonë me Zotin, në mundësi që na jepet për t’u ndaluar e për të kundruar - në kalimin nga realiteti i thjeshtë, i jashtëm, në një realitet shumë më të thellë – rrezen e bukurisë, që na trondit, që gati-gati na ‘plagos’ në shpirt, duke na ftuar të lartohemi kah Zoti”.
Mjafton të kujtojmë këtu një nga kryeveprat e artit kishtar, Shën Terezën e Avilës, realizuar nga Bernini. Në këtë figurë të përkryer, në mermer, shprehet me një forcë gati mbinjerëzore, ndjesia e Bukurisë më të lartë, deri në dhimbje. Një dhimbje e durueshme, e dëshiruar, që vjen nga viset e larta, ku synon të ngjitet gjithnjë shpirti njerëzor. “Për një gjë të vetme i lutem Zotit; vetëm atë ia kërkoj – lutet Psalmisti - të banoj në shtëpinë e Zotit të gjitha ditët e jetës sime, që ta shikoj bukurinë e Zotit e ta admiroj shenjtëroren e tij”(Ps. 27,4).
Shpresojmë – theksoi në përfundim Ati i Shenjtë, duke folur lirisht - se Zoti do të na ndihmojë ta kundrojmë bukurinë e tij, si në natyrë, ashtu edhe në veprat e artit, për t’u prekur, kështu, nga drita e Fytyrës së tij, në mënyrë që edhe ne vetë të bëhemi dritë për të tjerët!

Njëmbëdhjetë, gjuhët me të cilat Papa përshëndeti grupet e pranishme në audiencën, të cilën e mbajti në Sheshin para Pallatit Apostolik, sepse Oborri nuk mund t’i nxinte shtegtarët e shumtë, rreth 4 mijë vetë, që u dyndën edhe sot në qytezën laciale, për të ndjekur katekizmin e Benediktit XVI. Një përshëndetje e posaçme, ajo që Papa u drejtoi ipeshkvijve, miq të Bashkësisë të Shën Egjidit, të pranishëm në audiencë.







All the contents on this site are copyrighted ©.