2011-08-31 16:15:37

Koncert për nder të Papës në Kastel Gandolfo.


Sonte, në orën 18.00, në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos, kardinali Domeniko Bertoluçi dha një koncert për nder të Papës. Drejtuar nga shkopi i dirigjentit Simone Baioki, mjeshtër kori e drejtor orkestre, kënduan Enrika Fabri, soprano; Lykke Anholm, soprano e Mikele Govi, bariton, shoqëruar nga Kori Rosini i Pezaros dhe nga Orkestra Filarmonike Markigjane.
I drejtuam mjeshtrit Baioki pyetjen: E dimë se ju prej vitesh bashkëpunoni me Domeniko Bartoluçin, meshtar e kompozitor, e edhe ai vetë, drejtor kori e orkestre, i njohur si një nga muzikantët më të shquar italianë bashkëkohorë. Bëtë zgjedhje jo të zakonshme për këtë koncert, aq më tepër që iu ofrua nga dy muzikantë të shquar – një Pape muzikant...

Përgjigje: - Është fjala për një program të zgjedhur personalisht nga mjeshtri Domeniko Bartoluçi. Prej kohe ai dëshironte të ekzekutonte para Papës Poemthin “Baptisma”, mbi liturgjinë e lashtë të Pagëzimit, të muzikuar. Punë, që ka shumë rëndësi për Bartoluçin, sepse u krye sipas kërkesës së Institutit Papnor të Muzikës Kishtare e u luajt për herë të parë më 2 maj 1947, në sallën Akademike të Shkollës Papnore. Me këtë koncert, Bartoluçi nisi të bëhet i njohur si talent në botën muzikore romake. Në dhjetor të të njëjtit vit, Bartoluçi u emërua mjeshtër kapele në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe. Një vit më vonë, nisi punën si mësues kori e kompozicioni, në Shkollën Papnore e, pas pak kohe, ishte zëvendës-mjeshtër i Kapelës Sikstine, së bashku me Perozin, për t’u bërë, pastaj, drejtor i saj, më 1956.

Pyetje: - Dëgjuam edhe tre kompozime të tjera në këtë koncert...

Përgjigje:- Po, ishin tre motete për soprano, kor e zëra femërore. I pari ishte ‘Benedictus”, që mjeshtri e përgatiti si shenjë nderimi të thellë për Papën, duke pasur parasysh pikërisht emrin Benedikt, zgjedhur nga Jozef Racinger. “Benedictus qui venit in nomine Domini” – “Bekuar qoftë ai, që vjen në emër të Zotit”. Ishte një lutje muzikore, një falënderim, një shprehje e mirënjohjes ndaj Zotit, i cili i dhuroi Kishës Papën Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.