2011-08-30 13:09:03

Java liturgjike italiane. Imzot Molfeta: liturgjia, veprim i Zotit, që ndryshon rrjedhën e jetës së besimtarit.


U kremtua këto ditë, në Trieshtë, Java e 62-të Liturgjike Kombëtare italiane, organizuar, si çdo vit, nga Qendra e Veprimit Liturgjik, për të zgjuar në dioqezat italiane, një interes më të madh për liturgjinë. Në përkim me orientimet e ipeshkvijve italianë për dhjetëvjeçarin, që sapo ka filluar, tema e takimit të madh kishtar për këtë vit, ishte “Zoti edukon popullin e vet, përmes liturgjisë, burim i pashterrshëm katekizmi”.
Imzot Feliçe Molfeta, ipeshkëv i Çerinjolë-Askoli- Satrianos dhe drejtor i qendrës së Veprimit Liturgjik, i sintetizon temat e takimit, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Diskutimet u hartuan në mënyrë që të vinin në dukje temën “Zoti edukon popullin e vet”, të theksonin aspektin e parisë së Zotit, duke u nisur nga aspektet biblike. E kjo, sepse është vetë Zoti, që e edukon popullin e vet, që e drejton kah horizontet e dritës, derisa të arrijë drejt atij, që përbën prehërin jetik të liturgjisë, vendin, ku Zoti dëftohet gjithnjë: kremtimit! Në këtë këndvështrim, liturgjia edukon, përmes gjesteve, shenjave, fjalëve, të cilat përbëjnë kalimin e vetë Zotit: është gramatika e mishërimit të Zotit, që arrin l’hic et nunc, këtu e tani, bashkësinë e besimtarëve e u drejton Fjalën e vet. Në liturgji Zoti vjen i gjallë, është i pranishëm. Zoti nuk është diçka abstrakte; është Vetje, me të cilën mund të takohemi; e vendi, ku e takojmë, ku Zoti bëhet i pranishëm, është gjithnjë ai, që ne e quajmë “liturgji”, dëftim i misterit, në të cilin e paarritshmja, bëhet e arritshme përmes Fjalës së Tij. E pikërisht në çastin kur hyjmë në bashkim me Të, jeta ndryshon plotësisht. Përparësia e liturgjisë është pikërisht kjo: të bëjë që, përmes gjesteve, shenjave, fjalëve, Zoti të hyjë, këtu e tani, në historinë në të cilën kremtohet, ku Ai vetë edukon, nxit, fton për një jetë më të mirë. Sepse çdo veprim liturgjik ka vlerë fuqimisht shoqërore e mund të themi, madje, edhe politike: është vëmendje për polisin, vëmendje për fatkeqësitë e trazirat e jetës së përditshme.
E nuk duhet harruar se liturgjia do përgatitur me shumë kujdes, sepse edukon fuqmisht me ndjenjën e së bukurës, prandaj duhet shmangur çdo rrezik i përgatitjes së pamjaftueshme. Por unë besoj se atje ku ka meshtarë që e duan Zbulesën, e cila mishërohet në veprimin liturgjik, kjo nuk mund të ndodhë kurrë.







All the contents on this site are copyrighted ©.