2011-08-29 16:17:58

Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot: Në planin e dashurisë së Zotit njeriu e gjen sërish vetveten


“I krishteri e ndjek pas Zotin, kur e pranon me dashuri kryqin e vet”, e vetëm Zoti mund t’i japë njeriut gëzimin, që nuk kalon!: këtë theksoi dje Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Kastel Gandolfo. Entuziaste, atmosfera e krijuar nga shtegtarët, në takim me Papën.
Vetëm Zoti mund t’u japë njerëzve gëzimin, që s’ka mbarim. Nuk mjaftojnë suksesi e mirëqenia: rruga që çon drejt lumturisë, është ajo e kryqit. Papa e mori shtytjen nga Ungjilli i djeshëm i së dielës, në të cilin Jezusi u kumton dishepujve se do t’i duhet të vdesë e pastaj, të ngjallet. Pjetri kundërshton, rebelohet. Duket qartë ndryshimi ndërmjet planit të dashurisë së Atit Qiellor, që arrin deri në dhurimin e Birit të vetëm mbi kryq, për të shpëtuar njerëzimin, e shpresave, dëshirave dhe planeve të dishepujve:
Kjo kundërvënie vijon edhe sot e kësaj dite: kur realizimi i jetës sonë ka për qëllim vetëm suksesin në shoqëri, mirëqenien e plotë shëndetësore dhe ekonomike, do të thotë se nuk arsyetojmë sipas Zotit, por sipas njerëzve. E të mendosh, ashtu si mendojnë njerëzit, do të thotë ta lësh mënjanë Zotin, të mos e pranosh planin e tij të dashurisë, gati-gati ta pengosh për të bërë vullnetin e tij të urtë”.
Prandaj Jezusi i thotë Pjetrit një fjalë shumë të rëndë: “Larg prapa meje, shejtan! Ti po më shkandullon!”:
Zoti na mëson se dishepujt s’kanë rrugë tjetër, përveç rrugës së Tij; ata duhet ta ndjekin gjithnjë pas Atë, të Kryqëzuarin. Në të tre Ungjijtë kjo ndjekje shpjegohet pikërisht nën shenjën e Kryqit.... shikohet si udhë, që çon në humbjen e vetvetes, gjë e nevojshme për njeriun, sepse pa të, nuk mund ta gjejë vetveten”.
Ashtu si dishepujve, Jezusi na e drejton edhe ne ftesën: “Në se ndokush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë!”:
I krishteri e ndjek Zotin, kur e pranon me dashuri kryqin e vet, gjë që para syve të botës duket si disfatë e humbje e jetës, sepse e di që nuk e mbart i vetëm, por me Jezusin, në sa ecën pas tij në udhën e dhurimit... Duke pranuar vullnetarisht vdekjen, Jezusi mbart kryqin e të gjithë njerëzve e bëhet burim shëlbimi për mbarë njerëzimin”.
“Ce chemin est exigeant, car il demande une conversion permanente…
Udha e Kryqit – u tha Papa, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, shtegtarëve të gjuhës franceze – është udhë që kërkon shumë: kërkon pendesën e vazhdueshme, me gjithë zemër; kërkon ta lëshosh vetveten në dorë të Zotit, duke pranuar të të shndërrojë, sipas vullnetit të tij. Por gjithsesi, nuk duhet të kemi frikë ta marrim kryqin mbi shpinë, sepse Udha e Kryqit është Udha e Jetës!
Udha e Kryqit nuk është udhë e asgjësimit, por udhë, në të cilën njeriu ecën duke e lëshuar plotësisht vetveten në dorë të Zotit. Kryqi çliron, sepse fiton mbi mëkatin e fodullekut të njeriut, që mendon se mund ta gjejë gëzimin me forcat e veta, pa ndihmën e askujt. Harron se vetëm Zoti është në gjendje ta shuajë etjen tonë për lumturi të amshuar.
Benedikti XVI e saktësoi këtë, duke u folur shtegtarëve të gjuhës gjermane e duke u kujtuar një mendim të Shën Agostinit, të cilin Kisha e përkujtonte dje:
“Willst du ewig Freude haben, hange Jenem an, der ewig ist...
“Në se ti dëshiron të kesh gëzimin e amshuar, kapu fort pas Atij, që është i amshuar. Lumturia, e cila nuk kalon – vijoi – është dëshira më e thellë e çdo njeriu. Vetëm Zoti e dhuron këtë gëzim të amshuar. Por për ta shijuar, duhet t’ia hapësh plotësisht zemrën dashurisë së Tij".
I madh, entuziazmi i të pranishmëve, shumë prej të cilëve, të rinj, që rikrijuan, në oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos, atmosferën e një jave më parë, kur Papa ishte i rrethuar nga të rinjtë e Tij, rinia e Ditës Botërore të Madridit:
“Kjo është rinia e Papës!”.
E, në përfundim të lutjes, Benedikti XVI iu drejtua besimtarëve të pranishëm dhe të gjithë atyre, që e ndiqnin përmes mjeteve të komunikimit, me fjalët: “Ju uroj të gjithëve të Dielë të gëzuar! Ju falënderoj për entuziazmin tuaj!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.