2011-08-29 16:41:20

Në Libi, kryengritësit e NATO sulmojnë Sirten, kështjellë e Gedafit


Gedafi përfaqëson akoma kërcënim për libianët e për gjithë botën. Ky është mendimi i kryetarit të Këshillit të Tranzicionit në Libi, Mustafa Abdel Xhalil. Kjo është arsyeja që rebelët, në bashkëpunim me NATO-n, vazhdojnë ofensivën kundër Sirtes, kështjella e fundit e regjimit, ku mund të jetë fshehur koloneli. Ky i fundit duket se ka propozuar bisedime, që kryengritësit i kanë hedhur poshtë. Dje, ish-kreu i forcave të armatosura të regjimit, gjenerali Abdelhfid, e braktisi Gedafin, duke formuar një Këshill Ushtarak të Përkohshëm për Libinë qendrore dhe jugore. Ndërkaq, nga UNICEF-i vjen alarmi: “Në Tripoli mungon uji e ka rrezik për një epidemi shëndetësore të pashembullt”. Agjensia e OKB-së ka filluar shpërndarjen e 5 milion litrave ujë. Gjithnjë në kryeqytet, sot, Franca rihapi ambasadën. A do të jetë në gjendje Këshilli Kombëtar i Tranzicionit ta udhëheqë vendin, pas rënies së regjimit? Të dëgjojmë opinionin e pedagoges së marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Firences, Maria Gracia Enardu:
Këshilli është një bashkim elementesh fisnore, ashtu si gjithë Libia. Pa dyshim që brenda tij krijohen tensione të fuqishme, jo vetëm me natyrë politike, por edhe me natyrë historike e kulturore, që mund të sjellin probleme të mëdha.
Në përgjithësi, e ashtuquajtura “pranverë arabe” është vlerësuar pozitivisht, por ‘dardha…mund ta ketë bishtin mbrapa…”
“Pranvera arabe” lindi në vende, ndoshta pak më të zhvilluara se Libia, si Tunizia, Egjipti, ose edhe Siria. Në Libi, dinamika e ngjarjeve është e ndryshme: nuk di nëse duhet folur për “pranverë”, apo për “perëndimin” e një diktatori. Gedafi përbën rrezik për vendin, sepse ka pushtet të madh për të bllokuar çdo gjë, si përmes elementeve fisnore, ashtu edhe përmes favoreve, që ka shpërndarë sa majtas-djathtas gjatë 40 vjetëve të fundit e që mund të kthehen në element kërcënimi.
Prandaj rebelët e konsiderojnë akoma problem Muhamar Gedafin?
Sigurisht! Sepse nëse Gedafi do të fillonte të tregonte disa nga gjërat, që ka thënë, ka bërë ose ka dhënë urdhër të bëhen gjatë këtyre viteve, një sërë elementesh, brenda dhe jashtë vendit, do të ishin në rrezik. Është në interesin e shumë vetëve që koloneli të mos flasë, madje, edhe në interesin e shumë evropianëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.