2011-08-29 16:21:31

Kryeipeshkvi O’Brajën emërohet Pro-Mjeshtër i Madh i Urdhërit Kalorësiak të Varrit të Shenjtë të Jeruzalemit


Papa pranoi dorëheqjen e kardinalit Xhon Patrik Folej nga detyra e Mjeshtrit të Madh të Urdhërit Kalorësiak të Varrit të Shenjtë të Jeruzalemit, për arsye moshe, dhe emëroi Pro-Mjeshtër të Madh të të njëjtit Urdhër, imzot Eduin Frederik O’Brajën, deri tani, kryeipeshkëv i Baltimorës.
Imzot O’Brajën lindi në Nju Jork më 8 prill 1939. U shugurua meshtar në vitin 1965 e ipeshkëv në vitin 1996. Që nga viti 2007 ka qenë kryeipeshkëv i Baltimorës.
Zanafilla e Urdhërit Kalorsiak të Varrit të Shenjtë të Jeruzalemit gjendet në kohët e çlirimit të Jeruzalemit nga ana e Gofredit të Buljonit, në vitin 1099. Me rënien e Mbretërisë së Krishterë të Jeruzalemit, Urdhëri vazhdoi të ekzistonte në Evropë, duke mbajtur gjallë idealet e Kalorësisë së Kryqtarëve për përhapjen e fesë, për mbrojtjen e më të dobtëve e për bamirësinë ndaj të afërmit. Në vitin 1847, Papa Pio IX e modernizoi urdhërin, duke miratuar një statut të ri, me të cilin e vuri nën mbrojtjen e Selisë së Shenjtë, ndërsa regjencën ia besoi Patrikut Latin të Jeruzalemit. Në vitin 1949, Papa Pio XII vendosi që Mjeshtri i Madh i Urdhërit të ishte kardinal, duke i dhën Patrikut të Jeruzalemit titullit e Eprorit të Madh të tij. Ndryshime të tjera bënë Papa Gjoni XXIII, në vitin 1962 e Papa Pali VI, në vitin 1977. Qe Papa Gjon Pali II, ai që në vitin 1996, e rriti dinjitetin e urdhërit, duke e shndërruar në Shoqatë publike besimtarësh, ngritur nga Selia Apostolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.