2011-08-29 16:21:11

Dekret historik në Turqi për kthimin e pronave të konfiskuara pakicave fetare, me përjashtim të katolikëve latinë


Një dekret, i nënshkruar dje nga kryeministri turk Erdogan, sanksionon kthimin e pronave të sekuestruara pas vitit 1936, të gjitha pakicave fetare. Nga ky ligj përfitojnë të krishterët greko-ortodoksë, katolikët kalde, armenët dhe hebrenjtë, por jo katolikët latinë.

Qe vërtet një lëvizje e mençur politike, ajo e djeshmja e Erdoganit, pasi dekreti u publikua pak para darkës tradicionale të Ramazanit, që organizohet nga përfaqësuesi i fondacioneve fetare jo myslimane për nder të kryeministrit. Vendimi u vë kapakun viteve të gjata me kërkesa e thirrje edhe në selitë evropiane. Do t’u kthehen pronarëve të ligjshëm të gjitha pronat e regjistruara në vitin 1936 e të konfiskuara më pas nga shteti; do t’u jepet fondacioneve fetare administrimi i varrezave të tyre, siç ka qenë më parë; do të dorëzohen, pastaj, edhe manastiret e kishat, që kurrë nuk janë njohur nga shteti turk si ente juridike.

Sipas llogarive të para, njëmijë ndërtesa kulti do t’u kthehen greko-ortodoksëve, rreth njëqind armenëve e të tjerat katolikëve kalde e hebrenjve. Nga ligji nuk përfitojnë katolikët e ritit latin, pra ata që njohin Papën e Vatikanin, pasi nuk bëjnë pjesë në pakicat fetare të përmendura në Traktatin e Lozanës të vitit 1923, i cili sanksiononte njohjen e Republikës Turke, shpallur nga Qemal Ataturku.

Pavarësisht nga kjo, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Katolike Turke, imzot Ruxhero Françeskini u shpreh me kënaqësi për lajmin, i cili i bën katolikët të shpresojnë në të ardhmen. “Ka kaluar koha, kur një qytetar i yni mund të shtypej për shkak të fesë, të origjinës etnike ose të mënyrës së ndryshme të jetesës” – theksoi dje kryeministri turk, Erdogan. Fjalë të rëndësishme, që duhen kthyer në vepra!







All the contents on this site are copyrighted ©.