2011-08-28 16:15:40

Papa kremtoi Meshën për Schuelerkreis. Në Zotin kemi burimin e ujit të gjallë.


Mesha e Atit të Shenjtë Jozef Ratcinger me ish studentët. Benedikti XVI: njeriu të mos e shuaj etjen e madhështisë në gjëra të çastit e ato kalimtare, por në Zotin të zbulon gurrën e ujit të vërtetë.
Sot paradite Papa kryesoi, në Qendrën Mariapoli të Kastelgandolfit, Meshën e Shenjtë me ish studentët e vet, të ashtuquajturit Ratzinger Sculerkreis, mbledhur këtyre ditëve në qytezën laciale në seminarin tradicional veror me ish profesorin e tyre. Sivjet takimi u mbajt mbi temën e ungjillëzimit të ri. Benedikti XVI, duke mbajtur shkurt fjalën hyrëse të kremtimit eukaristik, komentoi fjalët e Psalmit 62 propozuar nga liturgjia e sotme: “O Hyj, Hyji im je ti... Ka etje për ty shpirti im, si toka e shkretë, e thatë, e paujë”. Është koha e pritjes së Zotit. “Në këtë kohë të mungesës së Hyjit – tha Papa – kur toka e shpirtrave është e shkretë dhe e thatë e njerëzit akoma nuk dinë se nga ku buron uji i gjallë, ti kërkojmë Zotit të tregohet e të shfaqet. Duam të lusim për ata njerëz që kërkojnë ujin tjetërkund, që Zoti t’u tregojë se Ai është uji i gjallë e të mos lejoj që jeta e njerëzve dhe etja e tyre për madhështi të mbytet e të shuhet në gjëra të çastit dhe kalimtare”. Këndej Papa iu lutë Zotit “sidomos për të rinjtë” në mënyrë që “ në ta të jetë e gjallë etja për Zotin”. E në vijim të reflektimit shtoi: “ e ne që e njohim që nga rinia duhet t’i kërkojmë falje sepse kaq pak ia çojmë njerëzve dritën e Fytyrës së tij, sepse kaq pa del në pah bindja se Zoti është, se Zoti është këtu e se Zoti është madhështia që ne të gjithë presim”.
Homelinë e Meshës së këtij takimi të ish studentëve me ish profesorin Ratcinger, e mbajti kryeipeshkvi i Vjenës kardinali Schonborn. Kardinali austriak nënvizoi se “ecja udhës së Zotit, ecja pas Jezusit nënkupton mohimin e plotë të vetvetes, për të mundur kështu të hyjmë në dritën e vështrimit të Hyjit”. “Vetëm nëse nuk i përshtatemi më parimeve të kësaj bote – vijoi kardinali Schonborn duke komentuar leximin e dytë të liturgjisë së kësaj së diele nga Letra e Palit drejtuar Romakëve, - do të mund ta zbulojmë vullnetin e Hyjit për jetën tonë e ti përmbahemi udhës së Tij”. Këto – përfundoi – “janë parakushte për një miqësi të vërtetë me Zotin”, “pik arritje” e kthimit tonë tek Zoti.







All the contents on this site are copyrighted ©.