Si sot me 26 gusht 2010, pra 101 vjet më parë lindi Gonxhe Bojaxhiu, e Lumja Nënë
Terezë e cila me 19 tetor të vitit 2003 lartohet në nderime të elterit. Figura më
karizmatike e 1900-tës, Nënë Tereza, lindi në Shkup më 26 gusht dhe u pagëzua më 27
gusht të vitit 1910, ndërsa u kthye në shtëpinë e Atit Qiellor më 5 shtator të vitit
1997. Tërë jetën ia kushtoi të mënjanuarve e të varfërve të Kalkutës e të botës mbarë,
duke fituar dashurinë e më të varfëve ndër varfër, nderimin e të pushtetshmëve e admirimin
e mbështetjen e Papëve.
Nënë Tereza qe dëshmi e gjallë e dashurisë së Zotit
për njeriun, sidomos për më të varfrin e nevojtarin, i mjekoi plagët e njerëzimit
të përbuzur e të mohuar. Mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq jetën dhe
dinjitetin e njeriut, atyre që shtypeshin e përbuzeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë
e të harresës nga vota, u dha vetëdijen se nuk ishin të tepërt, po ishin të zgjedhurit
e Zotit, Atit Ynë të gjithëpushtetshëm, plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat
e vet. Dëshmoi e mishëroi Ungjillin e dashurisë me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes
për më të varfrit, duke merituar më 1979 çmimin Nobel për Paqe.
Kudo shkoi,
Nënë Tereza u përpoq të shuante etjen e Krishtit, etjen për Dashuri. Papa Gjon Pali
II e quajti „dhuratë e Zotit për Kishën e për botën“, për t’u kujtuar kështu të gjithëve
se dashuria ungjillore qëndron mbi të gjitha vlerat, posaçërisht kur gjen shprehjen
e vet në shërbimin që i bëhet më të përbuzurit ndërmjet vëllezërve e motrave tona.
Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i bamirësisë së heshtur, që lind nga
kundrimi i përhershëm i Krishtit të kryqëzuar.
Sot shembulli i shkëlqyer i
shërbimit të saj bamirës është bërë burim frymëzimi për familjen e sa shpirtërore,
Misionaret e Dashurisë, për Atdheun e saj, për Kishën e mbarë njerëzimin. Po e kujtojmë
sot plot me emocion ditëlindjen e Nënë Terezës, shërbëtoren e madhe të të varfëve.
Jeta
e saj është dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur. Ajo
deshi të zvogëlohej sa më shumë para syve të Zotit, duke u bërë shërbëtorja e më të
vegjëlve. „Ti duhet të jesh dora e Provanisë Hyjnore kur nuk të shikon askush, në
mënyrë që ata të cilët marrin të mira e ndihmë, t’i jenë mirënjohës Zotit e jo ty“,
thoshte e Lumja Nënë Terezë. Kështu krahët e saj u bënë krahët e vetë Zotit e ajo,
simbol i dukshëm, i prekshëm i dashurisë së Tij Hyjnore. Mbi vete mori barrën e stër-rëndë
të të gjithë të varfëve të botës, duke e ditur se kështu plotësonte vullnetin e Zotit
të vet.
Ky pra është edhe thelbi i përshpirtërisë së Nënë Terezës, që i ka
themelet në dashurinë e pakufishme të Atit Qiellor për të varfrit e të braktisurit,
e cila gjen shprehjen më të lartë në misterin e Kryqit e të ngjalljes së Krishtit.
Kjo është edhe forca e vërtetë mistike e mësimit që na la trashëgim e Lumja Nënë Terezë.