2011-08-27 12:11:16

Të krishterët e pranvera arabe. Atë Picabala: nga shpresa tek frika


Pakica e krishterë në vendet arabe po ndjek me vëmendje të veçantë procesin e rinovimit shoqëror e politik në zonë, për të cilin nuk mungojnë shqetësime. Edhe për këtë u fol në Mitingun e Riminit, gjatë javës së kaluar. Takimi, që përfundoi të premten, i organizuar nga Lëvizja “Bashkim e Çlirim”, kishte si temë “E jeta bëhet siguri pa fund”, e cila i referohet plotësisë së jetës, kur ajo bazohet në Krishtin. Në Rimini ishte i pranishëm Rojtari i Tokës Shenjte, atë Pierbatista Picabala. Atij i drejtuam mikrofonin tonë, për ta pyetur si po përjetohet e ashtuquajtura “pranverë arabe” nga të krishterët:
Në fillim pati shpresa të mëdha, si për të gjithë, sidomos në Egjipt. Në Siri, gjendja është pak më e ndryshme. Tani në Egjipt ka shumë frikë, shumë pasiguri, sepse pas një faze euforie, me synime të përbashkëta, duket se pjesa integraliste po mbizotëron, në dëm të pakicës së krishterë. Pra ekziston pasiguri dhe frikë e madhe. E njëjta gjë edhe në Siri, ku të krishterët trajtoheshin dhe trajtohen akoma me respekt të madh, por lëvizjet kundër regjimit i shqetësojnë, pasi e ndjejnë se po mungojnë pikat e referimit, që u kanë dhënë garanci për dhjetëvjeçarë.
Në Takimin e Riminit, një përfaqësues i partisë së Vëllezërve Myslimanë u tha perëndimorëve të mos kenë frikë, sepse realiteti nuk është kaq i keq në Egjipt e të krishterët nuk do të kenë probleme…
Eh… mbi këtë argument është e vështirë të flasësh, sidomos për ne të krishterët, që jemi në Lindjen e Mesme e në Tokën Shenjte, sepse është një argument i lehtë për t’u instrumentalizuar. Nëse thua se ka probleme ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, akuzohesh se dëshiron t’i theksosh ndryshimet e t’i dallosh mirë njërin nga tjetri. Nëse thua se bashkëpunojnë, se bashkëndajnë, e tepron… Në të vërtetë, i kemi të dyja përvojat, nuk ka “out-out”. Ka bashkëpunim, por ka edhe elemente integralizmi, ndarjeje e persekutimi. Kronika dëshmon për këtë. Nuk duhet të kemi frikë – e themi gjithmonë – duhet të kemi guxim për të thënë të vërtetën, ashtu siç është, me qartësi, por edhe të mbajmë qëndrimin e krishterë të dëshmisë, të mikpritjes, të përpjekjes për dialog e për marrëdhënie të sinqerta. Kjo, sepse, nga pikpamja strategjike, praktike, nuk ka alternativë tjetër e sepse, edhe feja na e mëson. Në këto rajone, dëshmia e fesë është e vetmja gjë që mund të bëjmë: ta përçojmë përvojën, dëshminë tonë, e cila shkon përtej gjuhës, kulturës, vetë besimit fetar e që, nëse bëhet me ndershmëri e bindje të thellë i arrin gjithkujt.







All the contents on this site are copyrighted ©.