2011-08-27 12:11:33

Paul Bhatti nga Pakistani: të drejta të barabarta për myslimanët e të krishterët, pa diskriminime


“Krishterimi nuk është kurrë fakt privat. Bashkësia e krishterë e ka për detyrë t’i edukojë njerëzit të punojnë për të mirën e përbashkët”: kështu u tha gjatë sesionit “Të krishterët në politikë”, në një çast tjetër të Mitingut të Riminit, në të cilin morën pjesë të ftuar nga e gjithë bota. Filip Blond, bashkëpunëtor i kryeministrit britanik Dejvid Kamerun, shpjegoi vështirësitë, që kanë politikanët e krishterë në Angli, për shkak të paragjykimeve për të gjithë ata, që e shpallin hapur fenë e tyre. Jozef Dol, kryetar i grupit të partive popullore në Parlamentin evropian, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së vlerave të krishtera para atyre, që nuk i duan ato në arenën publike. U duartrokit Paul Jakob Bati, këshilltar i kryeministrit të Pakistanit për pakicat fetare, i cili foli për vështirësitë e të krishterëve dhe të bashkësive të tjera jo myslimane në vendin e tij. E ftuam në mikrofonin e Radio Vatikanit, për ta pyetur se ç’ka ndryshuar në Pakistan në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pakicave, pas vrasjes së të vëllait, ministrit për pakicat, Shahbaz Bati nga ekstremistët islamikë:
Njerëzit kanë humbur një udhëheqës: shumë vetë, edhe kur nuk kishin nevojë, ndiheshin të mbrojtur, sepse ai ishte i pranishëm në të gjitha vuajtjet e të krishterëve dhe të pakicave në përgjithësi. Pas humbjes së një udhëheqësi të tillë, pakicat e ndjenë veten jetime. Kësaj iu shtua mendimi se nëse nuk mund të garantohej siguria e një personi në këtë nivel, aq më pak do të mund të garantohej siguria e popullit. Ndërsa, pozitiv ka qenë fakti se njerëzit – përfshirë myslimanët e bashkësinë ndërkombëtare – filluan të kuptonin cili ishte problemi i vërtetë e të dëshironin ndryshime. Kjo solli një farë revolucioni e shumë solidaritet…
Me ngjarjet në Libi, Siri, Egjipt, “pranvera arabe” ka zënë faqet e para të gazetave. Sipas jush, a mund të çojë ajo drejt fondamentalizmit islamik, me rrezik për të krishterët?
Kjo mund të ndodhë, sepse derisa të mos ketë dialog ndërfetar, nuk do të ketë as respekt të ndërsjelltë për të gjitha fetë. Problemet mund t’u lindin pa dyshim, të krishterëve, që janë më të dobtit. Ata mund të kenë pasoja si në vendet arabe, ku janë pakicë, ashtu edhe në vendet tona: në Pakistan, për shembull, ku pakicat janë të krishtera, hinduiste, budiste… Fondamentalistët e ekstremistët mund të marrin krahë nga pranvera arabe e të mendojnë se u erdhi dita.
Ju keni thënë: “Ne jemi pakicë fetare, por nuk pranojmë të jemi edhe pakicë politike!”. Në ç’kuptim?
Në kuptimin se nuk duhet të ketë diskriminim nëse personi është katolik, protestant apo mysliman. Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Feja është zgjedhje personale e shteti nuk duhet të vendosë ligje, të cilat i diskriminojnë të krishterët, në krahasim me myslimanët.







All the contents on this site are copyrighted ©.