2011-08-27 12:12:38

Me 27 gusht Kisha përkujtoi Shën Monikën, Nënën e Shën Agostinit.


Monika lindi në Tagaste, qytet i lashtë i Numidisë, në vitin 332. Në rini studioi e meditoi Shkrimin Shenjt. U martua me Patricin, pronar i vogël i Tagastes, anëtar i këshillit bashkijak. I shoqi, që nuk qe bërë ende i krishterë, ishte njeri i mirë e i përzemërt, por edhe zemrak e autoritar. Nga kjo martesë lindën tre fëmijë: Agostini, Navigo e një vajzë, që nuk i dihet emri. 39 vjeçe, Monika mbeti e vejë e iu desh të kujdesej për të gjithë familjen. Natën e Pashkëve të vitit 387, realizoi ëndrrën më të bukur të jetës: e pa Agostinin, që ishte transferuar në Milano e ishte bërë i krishterë i bindur, duke u pagëzuar, së bashku me të gjithë familjarët. Domethënë Zoti i kishte pranuar lutjet e saj, i kishte parë lotët e saj. Më pas Agostini vendosi të rikthehej në Afrikë e të ndiqte jetën murgare. Në veprën e tij të famshme ‘Rrëfime’, i kushton vëmendje të posaçme bisedave shpirtërore me nënën e tij, në shtëpinë e qetë të Osties, etapë e ndërmjetme, para nisjes për në Afrikë, që e përforconin në fe dhe e mbushnin me ngushëllim: tashmë ajo, më shumë se nënë, ishte për të birin burim i krishtërimit.
Monika vdiq pasi vuajti nga ethe tepër të forta, ndoshta nga malaria. Ishte data 27 gusht e vitit 387 e ajo sapo i kishte mbushur 56 vjet. Bijëve u la amanet ta varrosnin trupin e saj ku të donin, pa u shqetësuar për këtë, por ta kujtonin kudo që ndodheshin, para elterit të Zotit. Ashtu si Zoja e Bekuar, së cilës u përpoq me të gjitha forcat t’i përngjante, Monika qe “seli e dijes e nënë e shtëpisë”, sepse mbolli dijen shenjte në zemër të të bijve, duke i dhuruar botës një gjeni, si Shën Agostini, ipeshkëv e Doktor i Kishës.
Trupi i Shën Monikës mbeti në Kishën e Shën Aureas të Ostias me shekuj, deri më 9 prill të vitit 1430, kur reliket e nënës së Agostinit u mbartën në Romë, në Kishën e Shën Trifonit, sot e Shën Agostinit, e u vendosën në një sarkofag të skalitur mjeshtrisht nga Izaia i Pizës, në shekullin XV.
Shën Monika është model e pajtore e nënave të krishtera. Emri i saj është shumë i përhapur e festa i kremtohet më 27 gusht, një ditë para festës të të birit, që vdiq më 28 gusht të vitit 430.







All the contents on this site are copyrighted ©.