2011-08-27 12:08:11

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 22-të ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 22-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Fjale e Zotit e kësaj së diele nuk na ofron një fe të lehtë. Na qorton e paralajmëron që, si Jeremia profet e apostujt e Krishtit, si ata, as ne nuk do të kursehemi nga sprovat. Madje ne ftohemi të ndjekim Jezusin duke bartur kryqin tonë në jetën e përditshme. Pra, udha e kryqit e ndjekur nga Jezusi, na propozohet ne e të gjithë atyre që duan të jenë dishepuj të tij.
Kështu, Leximet biblike të Meshës së Shenjtë kësaj së diele të 22-të gjatë vitit, na mësojnë se udha e Zotit është Udha e Kryqit. Kështu nga liturgjia e Fjalës Hyjnore, na paraqitet Kryqin si zgjedhje e përcaktim të jetës dhe na drejton thirrjen të ecim e t’u përmbahemi gjurmëve të Jezu Krishtit. Të ndjekësh Jezusin, si në mënyrë individuale apo si bashkësi, do të thotë të heqësh dorë nga mënyra e arsyetimit ‘sipas njerëzve’ e të orientohesh, të jetosh e të veprosh sipas mënyrës së arsyetimit ‘ të Zotit’. Këtë më së miri na mëson Jezusi, të cilin pjesa e Ungjillit të kësaj së diele, na paraqet pikërisht në çastin kur Ai para nxënësve të vet e shfaq vendimin e Tij për t’u nisur drejt Jerusalemit, që do të thotë të shkosh drejt kalvarit dhe me këtë përcaktim të tij, Jezusi ndeshët me kundërshtimin e Pjetrit, i cili mundohet ta bind Mësuesin të heqë dorë nga një vendim i tillë, që të keq dorë nga udha e mundimit dhe kryqit. Mirëpo Jezusi pasi e qortoi ashpër Pjetrin “filloi t’u thotë nxënësve se duhej të vuante shumë e se do të vritet…” .
Që atëherë qendra e tërë historisë njerëzore është fytyra e Zotit të kryqëzuar. Ky është shkandulli i krishterimit. Ta pranosh Jezusin si Mesi është diçka e pranueshme. Por fakti që Mesia duhet ta përfundojë jetën e vet me një vdekje të tmerrshme, çnjerëzore, kjo vërtetë është diçka e papranueshme për njerëzit, për apostuj. E me Pjetrin edhe ne i përsërisim Jezusit: “Mos e thashtë Zoti, Zotëri Jezus! Ty s’do të ndodhë një gjë e tillë!”. “Ti Jezus mashtrohesh sepse bota nuk do të shpëtohet për një kryqëzim më tepër ndër miliona kryqëzime të historisë. Është çmenduri një gjë e tillë. Përdorë mjete tjera, përdore pushtetin, elementin e shenjtë festar, pra sakralitetin, përdore mrekullinë, ushtroje autoritetin”.
Po Jezusi e refuzon pikërisht këtë strategji e këtë rrugë. Ai zgjedhë shërbimin, varfërinë e shpirtit, përdëllimin, urinë për drejtësi, kultivon zemrën e pastër, ndërtimin e paqes, butësinë, e përqafon udhën e kryqit për çlirimin dhe shpëtimin e mbarë njerëzimit nga dhuna dhe nga vdekja e përjetshme. Kryqi i Jezusit pra është shenja më e lartë që Zoti na ka dërguar, pika e fundit në të cilën gjithçka e çdo gjë takohet e përkon: udhët e qiellit, udhët e zemrës, udhët e tokës, ku çdo gjë është shkruar me germa gjaku e dashurie, të vetmet që nuk gënjejnë e nuk mashtrojnë. Kryqi, na thotë Jezusi, duhet marrë, duhet zgjedhur si udhë e jetës së vërtetë.

Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë (Jer 20, 7-9)
Fjala e Zotit u bë për mua poshtërim dhe përqeshje gjithë ditën!

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Më ngashënjeve, o Zot, dhe unë lejova të ngashënjehem, qe më i fortë se unë dhe më mbizotërove. U bëra gazi i ditës, të gjithë më përqeshin. Sa herë që më duhet ta shpall fjalën, më duhet të lëshoj kushtrimin, të bërtas: “Dhunë! Shkatërrim!”
Fjala e Zotit u bë për mua poshtërim dhe përqeshje gjithë ditën! Atëherë thashë me vete: “Më s’do të mendoj për Të, në emër të Tij më nuk do të flas!” Atëherë në zemrën time u ndez një zjarr i furishëm, i ndryrë në eshtrat e mi: u mundova ta mposht, por s’munda!

Fjala e Zotit.

Psalmi 63 (62)
Ref: Shpirti im ka etje për ty, o Zot.
_____________________________
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj.
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron trupi im,
si tokë e shkretë, e thatë, e paujë.
_____________________________
Kështu erdha në Shenjtëroren tënde
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta:
buzët e mia do të të lavdërojnë.
_____________________________
Kështu do të të bekoj në jetën time,
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme,
me buzë të hareshme do të lavdërojë goja ime.
_____________________________
Sepse ti je bërë ndihma ime,
prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!
Shpirti im u mbështet në ty,
e djathta jote më mban.
_____________________________

Leximi i dytë (Rom 12, 1-2)
Kushtoni trupin tuaj fli të gjallë.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Po ju përbej me mëshirën e Hyjit, o vëllezër, ta kushtoni trupin tuaj fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme Hyjit – porsi kultin tuaj shpirtëror. Mos ju përshtatni më parimeve të shekullit, por shndërrojeni e ripërtërijeni mendjen tuaj, në mënyrë që ta dalloni vullnetin e Hyjit: çka është e mirë, çka i pëlqen Atij, çka është e përsosur.

Fjala e Zotit

Ungjilli (Mt 16, 21-27)
Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi filloi t’u dëftojë nxënësve të vet se i duhej të shkonte në Jerusalem, të vuante shumë prej anës së pleqve, të kryepriftërinjve e të shkribëve, se do ta vrasin e të tretën ditë do të ngjallet.
Atëherë Pjetri e ndau veçmas e filloi ta qortojë: “Mos e thashtë Zoti, Zotëri! Ty s’do të ndodhë një gjë e tillë!”
Jezusi u kthye e i tha Pjetrit: “Shporru meje, he djall! Je shkandull për mua, sepse nuk i ke në mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”
Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje! Sepse, kush do ta ruajë jetën e vet, do ta bjerrë, kurse ai që e bjerr për shkak timin, do ta gjejë.
Ç’ dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por e humb jetën? E çka mund të japë njeriu si shkëmbim për jetën e vet? Do të vijë, për të vërtetë, Biri i njeriut në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e vet dhe atëherë do t’i paguajë të gjithë sipas veprave të tyre.”
Fjala e Zotit

Më tepër këtu mund t’i dëgjoni leximet biblike e komentin mbi liturgjinë e Fjalës Hyjnore të dielës së 22-të të viti....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.