2011-08-26 17:06:50

Ungjillëzimi i ri, në qendër të takimit të ish-nxënësve të Papës, në Kastel Gandolfo.


Tema e ungjillëzimit të ri është në qendër të seminarit tradicional veror të ish-nxënësve të Benediktit XVI, mbledhur në shkollën e njohur Ratzinger Schülerkreis, që u hap dje në Kastel Gandolfo. Në takimin, që do të përfundojë të dielën e ardhshme, në qendrën e kongreseve Mariapoli, marrin pjesë rreth 40 vetë, nga vende të ndryshme. Ndërmjet tyre, edhe kryeipeshkvi i Vjenës, Kristof Shënborn; ipeshkvi-ndihmës i Hamburgut, Hans-Johen Jashke; sekretari i Këshillit Papnor për Kulturën, imzot Bartelemi Adoukonou, profesorë, famullitarë, rregulltarë, rregulltare e laikë: të gjithë ish-studentë të profesorit Racinger, që i përgatitën tezat nën kujdesin e tij, gjatë viteve kur Papa jepte mësim në Gjermani. Dy janë referuesit kryesorë, që do t’i prijnë diskutimeve nesër, paradite e mbasdite: Hanna–Barbara Gerl-Falkoviz, pedagoge e filozofisë së fesë në Universitetin e Dresden-it, që do të thellojë temën: “Të flasësh në Athinë, për Jeruzalemin. Fjalët e Zotit, në një botë që reziston”, dhe Oto Neubauer, drejtor i Akademisë për Ungjillëzimin pranë Bashkësisë Emanuel të Vjenës, me temën “Një ungjillëzim gjithnjë i ri, atje ku varfëria bëhet urë ndërmjet njerëzve”. RealAudioMP3
Në sesionin e nesërm do të jetë i pranishëm edhe Papa Benedikti XVI, që do të mbajë një fjalim të shkurtër, me të cilin do të hapen punimet e takimit. Që sot, 26 gusht, me pjesëmarrësit do të bashkohen edhe anëtarët e Shkollës së re, rreth i themeluar katër vjet më parë, i përbërë nga studentë, të cilët kanë zgjedhur për tezë diplome, tekste të Jozef Racinger. Të gjithë pjesëmarrësit do të jenë të pranishëm në Meshën Shenjte të së dielës, 28 gusht e, më pas, edhe në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Pasditen e së dielës, pas përfundimit të punimeve, ish-nxësit e vjetër e të rinj të Papës Racinger, do të shkëmbejnë mendime rreth argumenteve të trajtuara gjatë seminarit të këtij viti. Punimet e këtyre takimeve që, siç dihet, zhvillohen me porta të mbyllura, organizohen nga rregulltari salvadorian, Stefan Horn, kryetar i Fondacionit, i cili mban emrin Jozef Racinger- Papa Benedikti XVI, me seli në Munih të Bavarisë. I miratuar më 21 dhjetor 2007 si fondacion civil, punon për përgatitjen e takimit vjetor të ish-nxënësve të Papës, për nxitjen e studimeve të leksioneve të profesorit Racinger, kur vijonte të jepte mësim në universitet, përhapjen e mësimeve të tij të teologjisë e të përshpirtërisë së krishterë si edhe botimin e librave të Benediktit XVI. Objektiva, që përkojnë me ata të fondacionit me të njëjtin emër, themeluar në Vatikan më 1 mars 2010.
Takimi i parë i Papës Racinger me doktorët e përgatitur prej tij si dhe me kandidatët për pedagogë, në periudhën kur jepte mësim në Bon, Munster, Tubingen e Regensburg, ishte ai, që u mbajt pasi u emërua kryeipeshkëv i Munihut e Frisingës, më 24 mars 1977. Shumë shpejt nisën të organizohen takime vjetore, në të cilat kardinali Racinger mori pjesë rregullisht. Kjo traditë vijoi edhe pas zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit. Takimi përsëritet vit për vit, me një temë të veçantë, që e zgjedh vetë Papa, ndërmjet shumë propozimeve të ndryshme paraprake. Tema e zgjedhur për takimin e sivjetëm, lidhet ngusht me një takim tjetër të Papës: atë me përfaqësuesit e realiteteve kishtare të impenjuara në veprimtaritë për ungjillëzimin e ri, që do të mbahet më 15 e 16 tetorin e ardhshëm në Vatikan e posaçërisht, me Asamblenë e 13-të të përgjithme të Sinodit të ipeshkvijve, në tetor 2012, pikërisht për të vënë në plan të parë “Rolin e ungjillëzimit të ri në transmetimin e fesë së krishterë”.
Çështja e kumtimit të ri të Ungjillit në mjediset, ku ka prirje të kufizohet ose të harrohet fare, është në qendër të vëmendjes së papnisë aktuale. Jemi përballë ndeshjes së dy botëve shpirtërore, botës së fesë e botës së shekullarizmit – pohon Benedikti XVI në librin-intervistë “Drita e botës”. Ne – shton – duhet të punojmë sidomos, që njerëzit ta kenë gjithnjë parasysh Zotin. Duke u nisur nga ata që besojnë në Të, të cilët duhet ta dëshmojnë me gjithë zemër, me të gjitha forcat, në të gjitha mjediset, ku jetojnë e punojnë, edhe atëherë kur ndeshen me murin e indiferencës, ku më pak e presin. E, për ta bindur njeriun e sotëm, i cili bëhet gjithnjë më i çkujdesur e më i pandjeshëm – shton Papa – Kisha ka nevojë për ungjillëzues të rinj. E për zell të ri, që ta bëjë kumtimin e shëlbimit sa më të frytshëm.
Më 30 majin e kaluar, në mbledhjen e parë plenare të dikasterit për Ungjillëzimin e ri, Benedikti XVI theksoi:
“Sot, për fat të keq, jemi përballë dramës së copëzimit, që nuk krijon mundësi për një pikë bashkuese referimi; vërehet shpesh fenomeni i njerëzve, të cilët dëshirojnë t’i përkasin Kishës, por janë fuqimisht të formuar nga një vizion tjetër, në kundërshtim me fenë. Edhe ai që vijon të mbetet i lidhur me rrënjët e krishtera, por jeton marrëdhëniet e vështira me modernitetin, duhet ta kuptojë se të qenët i krishterë nuk është petk, që vishet vetëm në jetën private ose në raste të posaçme, por është diçka e gjallë e absolute, e aftë për të përvetësuar gjithçka të mirë nga jeta moderne”.







All the contents on this site are copyrighted ©.