I lindur në Romë, në fillim u njoh me emrin Gjeferino. Papnia e tij nisi në vitin
199, nën terrorin e Septim Severit, i cili praktikonte politeizmin e, sidomos, kultin
e ‘hyjit diell’. Shkëndija për fillimin e persekutimit të të krishterëve qe mospjesëmarrja
e tyre e plotë në festimet organizuar me rastin e dhjetëvjetorit të sundimit të perandorit,
sepse krejtësisht pagane. Kohë martirizimi pra, ajo në të cilën Zefirini i priu Kishës.
E në këtë kohë iu desh të përballojë edhe herezinë modaleiste, që kishte koncepte
të gabuara për lidhjet ndërmjet Atit e Birit, si dhe skizmën e parë të krishterë,
atë të Hipolitit antipapë. Shën Hipoliti, teolog e shkrimtar me kulturë greke,
u bë zëdhënës i teologjisë së logos. Qe kundërshtar i Zefirinit e i Shën Kalistit,
që do të bëhej papë, ndonëse më pas hoqi dorë nga skizma dhe i mbaroi ditët si shenjt,
duke derdhur gjakun për Krishtin në Sardenjë. Pavarësisht nga këto pengesa e vështirësi,
Zefirini ia doli mbanesh ta riorganizonte hjerarkinë kishtare, duke emëruar, për herë
të parë, vikarin e tij, Kalistin, me detyra më shumë praktike, sesa teologjike. Organizoi
varrezat e krishtera, që u zhvendosën nga rruga romake Salaria, në rrugën Apia, ku
ndodheshin prej kohe varrezat e Pretestatit e të Domitilës. Një nga këto varreza
u quajt ‘kripta e papëve’ ku Zefirini, që i priu Kishës për 20 vjet me radhë, u varros
i pari, në një ditë të ftohtë të vitit 217.