Sot më 26 gusht përkujtojmë një nga figurat më të ndritura të Kishës Katolike universale
dhe të popullit shqiptar: Nënë Terezën, përvjetorin e 101-të ditëlindjes. E Lumja
Nënë Terezë Gonxhe Bojaxhiu lindi si sot, më 26 gusht 1910 në Shkup, qytet i vendosur
në udhëkryq të historisë së Ballkanit, ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkutë të
Indisë, u shpall e Lume në Vatikan nga Papa Gjon Pali II më 19 tetor 2003. E
Lumja Nënë Terezë e përmblodhi jetëshkrimin e saj me këto fjalë: "Me gjak jam shqiptare;
me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes,
i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". Për
t'iu përgjigjur sa më mirë si nevojave fizike, ashtu edhe atyre shpirtërore të të
varfërve, më 7 tetor të vitit 1950 Nënë Tereza themeloi Kongregatën e Misionareve
të Bamirësisë; më 1963 - Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë; më 1976, degën kundruese
të motrave; më 1979, Vëllezërit kundrues dhe më 1984, Etërit Misionarë të Bamirësisë.
Gjithsesi frymëzimi i saj nuk u kufizua vetëm në njerëzit e thirrur për jetë rregulltare.
Organizoi Bashkëpunëtorët e Nënë Terezës dhe Bashkëpunëtorët e Sëmurë dhe të Munduar,
njerëz të feve e të kombësive të ndryshme, me të cilët u bë një në lutje, thjeshtësi,
flijim dhe në apostullimin e saj që shprehej me vepra të përvuajtura bamirësie.
Kjo frymë e shtyu të themelonte më pas Misionarët Shekullarë të Bamirësisë. Duke iu
përgjigjur kërkesës së shumë meshtarëve, më 1991 Nënë Tereza themeloi edhe Lëvizjen
e Korpit të Krishtit për Meshtarë, si "rrugë e vogël që i çon në shenjtërim" ata,
të cilët ishin një mendje me karizmën dhe me shpirtin e saj. Më 1979 u vlerësua me
Çmimin e rëndësishëm Nobel për Paqen. Gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës është
dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria, e madhështisë dhe e dinjitetit të çdo njeriu,
e vlerës së gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos, e vlerës
së pakrahasueshme të miqësisë me Zotin, që lidhet e ushqehet përmes lutjes së vazhdueshme,
duke e shndërruar kështu njeriun në flake dashurie.