2011-08-25 13:49:33

Çelësi i fjalëve të Kishës: trashëgimia


Të dashur dëgjues, jo më larg se nesër, Nëna jonë e dashur Terezë do të kishte mbushur 101 vjet. Është një nga datat e së Lumes shqiptare, e cila na shtyn të mendojmë për trashëgiminë që la pas e, më në përgjithësi, për trashëgiminë që na lenë të gjithë shenjtorët me jetën e veprimtarinë e tyre. Por, cili është kuptimi i krishterë i fjalës ”trashëgimi”? Për këtë do të flasim në emisionin e sotëm.

Ungjilli i shën Lukës tregon për një person, që doli nga turma dhe i tha Jezusit këto fjalë: ”Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë me mua trashëgiminë tonë”. Dihet reagimi i Jezusit, i cili fillimisht u zemërua e pastaj, i paralajmëroi të gjithë të ruhen nga lakmia për pasuri, duke u treguar shembëlltyrën e pasanikut të pamend, që kujdesej vetëm të grumbullonte pasuri për vete, pa e ditur se po e lëshonte shpirti, kur akoma nuk ishte bërë i pasur për Hyjin (Lk 12,13-21). Ligji hebraik mbi trashëgiminë ishte mjaft i ndërlikuar dhe i vështirë për t’u zbatuar. Djali i parë merrte dyfishin e pasurisë në krahasim me të tjerët dhe, në një farë mënyre, në trashëgimi pranoheshin edhe fëmijët e lindur jashtë martese (Zan 21,10). Nuk merrnin pjesë në të femrat dhe vejushat, megjithëse nuk mungonin përjashtime nga ky rregull (Nm 27,1-11 e 36,1-12; Jak 42,15). Në rast se nuk kishte pasardhës, përfitonin nga trashëgimia kushërinjtë, sipas kritereve të veçanta, që nuk ishin të përcaktuara gjithnjë mirë.
Por ne nuk na intereson të thellohemi në çështjet juridike të kohës. Sot, do të shohim përdorimin simbolik të trashëgimisë në fe. Në Besëlidhjen eVjetër, toka e premtuar shpesh, përcaktohet si trashëgimi, që Zoti i ka dhuruar Izraelit, ”birit të tij të parëlindur”(Dal 4,22). Paralelisht, shumë tekste biblike e paraqesin vetë Izraelin si trashëgim të Zotit, duke e bërë kështu pjesë të horizontit të Hyjit, pjesë të gjërave, që Zoti i ka për zemër: ”Izraeli është prona jote” i thotë Salomoni Zotit në lutjen për kushtimin e tempullit të Sionit (1Mbr 8,51), ndërsa Isaia profet i vë në gojë vetë Zotit këtë bekim universal: ”Qoftë bekuar populli im, Egjipti, edhe vepra e duarve të mia, Asiri, dhe trashëgimi im, Izraeli”(19,25).
Nëse toka e premtuar është trashëgimi e të gjithë popullit, atëherë ajo ndahet ndërmjet fiseve, sipas kriteresh të ndërlikuara, që përshkruhen në Librin e Jozuehut (kap. 13-22). Vetëm njëri nga fiset nuk merr asnjë lloj toke. Është ai i Levit, fis meshtarësh, të cilët nuk duhej të merreshin me ekonomi e politikë, sepse ”Zoti është trashëgimi i Levit”, siç përsëritet shpesh në Librin e Ligjit të Përtërirë e në atë të Jozuehut. Edhe lutja e Psalmit 16, i cili ka shumë mundësi të jetë shkruar nga një levit, thotë: ”Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe kelku… Shorti më ra në të mirën tokë: pjesa e trashëgimit tim tesve më pëlqen!” (vv. 5-6). Përveç vlerës së qartë mistike, kjo pozitë e fisit meshtarak kishte edhe një aspekt konkret: Levitët jetonin me të dhjetat e me ofertat e besimtarëve për tempullin.
Në Besëlidhjen e Re, konceptimi shpirtëror i trashëgimisë arrin majën më të lartë. I krishteri pret të trashëgojë Mbretërinë e Qiellit, pra synon bashkimin e plotë me Zotin. Atyre që bënin mirë për të tjerët, si Nëna jonë Terezë, Jezusi u rezervon këto fjalë: ”Ejani, të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë, që u bë gati për ju që prej fillimit të botës!”(Mt 25,34). Në bazën e kësaj së drejte qëndron një fakt i rëndësishëm: në jemi bij në shpirt të Zotit e, siç thotë shën Pali në Letrën drejtuar Romakëve ”e nëse jemi fëmijë – atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin”(Rm 8,17), pasi Birin e vet, Zoti ”e bëri trashëgimtarin e të gjitha sendeve”(Heb 1,2). Po Apostulli i Popujve na kujton edhe se ”paganët – në Jezu Krishtin – janë bashkëpjestarë të të njëjtit trashëgim… në saje të Ungjillit”(Ef 3,6).








All the contents on this site are copyrighted ©.