2011-08-25 14:52:20

Valë e re arrestimesh ndërmjet katolikëve në Kinë


Arrestime të reja meshtarësh e besimtarësh katolikë në Kinë. Lajmi jepet nga agjensia misionare “AsiaNews”. Janë anëtarët e bashkësisë katolike të Tianshuit, në zonat qendrore të veriut, të cilëve u janë hedhur prangat në fundin e javës së kaluar. Ndër të arrestuarit, administratori i dioqezës, ipeshkëv nderi(pra, në pension), shumë meshtarë e dhjetra përgjegjës laikë. Ipeshkvi është arrestuar së bashku me dy vëllezërit e vet, edhe ata meshtarë, por mbahen në dy vende të ndryshme e u nënshtrohen sesioneve të riedukimit politik, sipas traditës së njohur të propagandës komuniste.
Deri tani, dioqeza e Tianshuit, në të cilën jetojnë rreth 20 mijë katolikë, ka pasur marrëdhënie të qeta me policinë e me autoritetet. Por, meqenëse posti i ipeshkvit është ‘vakant’, Pekini dëshiron t’u imponojë një kandidat të vetin, të pëlqyeshëm për qeverinë. Arrestimet e këtyre ditëve tregojnë se popullsia nuk është përkulur para pretendimeve të qendrës komuniste, megjithëse edhe para disa muajsh, u arrestuan dy kandidatë të Vatikanit për vendin e ipeshkvit, mbi të cilët është përdorur dhuna për t’i bindur të heqin dorë nga besnikëria ndaj Papës. Katolikët e dioqezës së Tianshuit i kërkojnë gjithë botës të lutet për lirimin e meshtarëve dhe të besimtarëve të burgosur.








All the contents on this site are copyrighted ©.