2011-08-25 14:37:17

Nunci apostolik në Gjermani: “Vizita e Papës do të sjellë shpresë e forcë për ungjillëzimin e ri”


Katër ditë pas përfundimit të Ditës Botërore të Rinisë në Madrid, që u quajt nga Benedikti XVI “një ngjarje kishtare emocionuese”, pritet udhëtimi i ardhshëm ndërkombëtar i Papës. Nga data 22 deri më 25 shtator, Ati i Shenjtë do të shkojë në Gjermani për vizitën e tij të 21-të apostolike jashtë Italisë.
Në një intervistë për agjencinë katolike KNA, nunci në Gjermani, imzot Zhan-Klod Perisé pohon se Papa do të sjellë shpresë e forcë për ungjillëzimin e ri. “Kisha – nënvizon nunci – duhet të shpallë mesazhin e Krishtit dhe Papa dëshiron ta inkurajojë Kishën ta çojë deri në fund këtë detyrë. E jam i sigurtë se do t’ia arrijë kësaj”.
Duke u ndalur pastaj në etapat e udhëtimit – Berlini, Erfurti, Ecelbahu dhe Friburgu – nunci thekson: “Programi tregon se Benedikti XVI do të vizitojë Gjermaninë e bashkuar, së pari kryeqytetin, pastaj Erfurtin, e cila është dioqezë e ish-Republikës Demokratike Gjermane, ku Kisha arriti ta ruajë fenë gjatë regjimit komunist e ku ndodhet edhe Seminari, që kardinali Racinger ka vizituar në të kaluarën. Së fundi, Papa do të shkojë në perëndim të vendit, në Friburg”.
Ndër çastet më të rëndësishme të udhëtimit, imzot Perisé nënvizon në veçanti dy ngjarje, që do të zhvillohen gjatë pasdites së 22 shtatorit, në Berlin: vizita e Papës në Parlamentin Federal dhe Mesha e Shenjtë, kremtuar nga Benedikti XVI në stadiumin Olimpia. Përsa u përket zërave për protesta të mundshme, imzot Perisé pohon: “Njerëzit kanë të drejtë të manifestojnë. Uroj vetëm që manifestimet të mos marrin nëpër këmbë vlerat e fesë, por të respektojnë besimin e Kishës Katolike. Ne kërkojmë të njëjtin respekt, që do të kishin për një përgjegjës tjetër fetar, ose politik”.
Numri i pjesëmarrësve të regjistruar për Meshën në stadiumin Olimpia të Berlinit rritet çdo ditë e nunci nënvizon faktin se shumë katolikë nga zona të tjera të Gjermanisë e shumë të huaj duan të marrin pjesë në këtë kremtim eukaristik. Ky është sinjal pozitiv, që dëshmon unitetin e Gjermanisë e tregon edhe se Berlini nuk është qytet pagan, siç thotë dikush. Kisha është e gjallë e, pavarësisht nga kritikat, jep kontributin e vet të çmuar në shoqëri.








All the contents on this site are copyrighted ©.