2011-08-24 12:08:38

Mitingu i Riminit: e pasigurtë, gjendja në Libi, pas Gedafit


Për situatën në Libi u fol edhe në Mitingun e Riminit, organizuar nga Lëvizja kishtare “Bashkim e Çlirim”. Në mikrofonin tonë, i dërguari i gazetës italine “Il Giornale”, Xhan Mikalesin, i sapokthyer nga Bengazi, ku ka xhiruar një reportazh me të rinjtë, protagonistë të revolucionit. E pyetëm se cili mund të jetë skenari i ardhshëm për Libinë:
Fatkeqësisht nuk mund të bëj parashikime… Po të marr parasysh e të analizoj ç’ka ndodhur gjatë këtyre gjashtë muajve e ç’po ndodh tani, shoh një Këshill kombëtar të Tranzicionit të paaftë për të ushtruar e për të pohuar me forcë autoritetin e vet mbi të gjitha grupet e armatosura, që shkojnë drejt Tripolit. Rebelët e Misratës thonë se nuk e pranojnë autoritetin e rebelëve të Bengazit e të Këshillit të Tranzicionit. Kryengritësit e maleve perëndimore, në kufi me Tunizinë – pra, fraksionet berbere – thonë edhe ata se nuk e pranojnë plotësisht autoritetin e Këshillit. Ky i fundit është edhe vetë tepër i përçarë, prandaj gjendja është vërtet kaotike.
Gjatë ndërhyrjes suaj në Miting, thatë se për Libinë ekziston rreziku i Somalisë. Ç’donit të thonit me këtë?
Rreziku somalez, për fat të keq, është ai i luftës së vazhdueshme ndërmjet fraksioneve të ndryshme: janë ato fraksione e fise që, edhe sot, mbështesin kolonelin, ose që nuk e durojnë monopolizimin e hegjemonizimin e së ardhmes së Libisë nga rebelët e Bengazit, apo nga berberët, apo nga ata të Misratës. Flas sidomos për fiset e Sirtes, për disa fise të jugut, flas për zona, ku Gedafi vazhdon të përkrahet e të gëzojë popullaritet, zona, në të cilat rebelët e kanë vështirë të hyjnë e të konkretizojnë planet e tyre.
Fati i Gedafit është akoma mister. Si mendoni ju, ky skenar është i përgatitur nga koloneli egocentrik?
Unë mendoj se Gedafi nuk është më në gjendje të organizojë e të kontrollojë asgjë: politikisht, si udhëheqës, ka vdekur marsin e kaluar. Por, akoma përkrahet, ka fonde për të paguar ata, që luftojnë për të dhe zotëron një personel ushtarak më të aftë se rebelët.
OKB-ja, NATO-ja, Lidhja Arabe, Bashkimi Afrikan, Franca: këto janë emrat, që dëgjohen për administrimin e situatës pas Gedafit. Sipas jush, në nivelin ndërkombëtar, cili mund të bëjë diçka për Libinë?
Luftrat bëhen e pas tyre, vendos ai që i fiton. Pra, duhet të shohim se kush do ta fitojë luftën: nëse NATO-ja do të arrijë të fitojë vërtet, apo do ta shndërrojë fitoren në katastrofë, për shkak të vendimeve të konceptuara e të marra keq. Fatkeqësisht, shoh edhe një herë përsëritjen tragjike të të njëjtave gabime e të hipokrizive të fillimit të konfliktit. Unë nuk do të doja që edhe kjo hipokrizi e fundit e NATO-s, e cila i paraqet rebelët me forca e aftësi, që nuk i kanë – ashtu siç nuk ishte e vërtetë në fillim të konfliktit se Gedafi i kishte ditët e numëruara – të shkaktojë të këqia më të mëdha e ndërlikime të mëtejshme negative për të ardhmen e Libisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.