2011-08-24 16:52:15

Brazil: gëzimi i ipeshkvijve për njoftimin e DBR-së 2013 në Rio-de Zhanéjro


“Sfidë e madhe, por edhe çast tepër i veçantë për Kishën në Brazil”: me këto fjalë ipeshkvijtë brazilianë shprehën gëzimin e tyre të madh për zgjedhjen, që bëri Benedikti XVI: më 2013 do të jetë Rio-de-Zhanéjro vendi, që do t’i mbledhë gjithë të rinjtë e botës rreth Kryqit të Krishtit e rreth Papës.
Njoftimin e dha vetë Ati i Shenjtë në fund të Meshës, me të cilën u mbyllën festimet e DBR-së së Madridit, i 26-ti Takim Botëror i Rinisë. Në mbrëmje, përfaqësuesit e Konferencës ipeshkvnore braziliane mbajtën një konferencë shtypi në kryeqytetin spanjoll, për të shprehur entuziazmin e, sidomos, mirënjohjen ndaj Papës. Në takimin me gazetarët folën kryetari i Konferencës ipeshkvnore braziliane, kardinali Raimundo Damasheno Asiz, kryeipeshkëv i Rio-de-Zhanéjros; imzot Orani Joãi Tempesta dhe Kryetari i Komisionit ipeshkvnor për baritorinë rinore braziliane, don Eduardo Pinheiro. Kardinali Damasheno Asiz, pasi falënderoi Papën për zgjedhjen, domethënë për besimin, kujtoi edhe përgjegjësinë e madhe të organizatorëve përballë kësaj sfide, duke pohuar se do të bisedojë menjëherë me Këshillin Papnor për Laikët, për të nisur, pa vonesë, punën përgatitore.
I ngushtë do të jetë edhe bashkëpunimi me Konferencën ipeshkvnore të Amerikës Latine - shtoi kardinali - sepse kështu mund të aktivizohet një numër më i madh të rinjsh nga i gjithë Kontinenti. Duhet punuar shumë e me ngulm - vijoi kardinali Damasheno Asiz – duke pasur parasysh se DBR-së do të kremtohet pas dy vjetësh e jo pas tri, sipas rregullit kanonik, sepse më 1914 në Brazil do të zhvillohet Kampionati Botëror i Futbollit. Kryetari i Konferencës ipeshkvnore braziliane shtoi: Amerika Latine është Kontinenti, që ka më shumë katolikë në botë, 47% të popullsisë, prandaj Dita e 27-të Botërore e Rinisë do të japë shumë fryte jo vetëm për të rinjtë e Brazilit, por edhe të të gjithë zonës latino-amerikane.
Imzot Joãi Tempesta nënvizoi se Fushata tradicionale e Vëllazërimit, që Kisha braziliane e organizon çdo vit, në vitin 2013 do t’i kushtohet pikërisht rinisë.
Zgjedhja e Rio-de-Zhanéjros – shtoi don Pinheiro – shënon një çast vërtet të rëndësishëm për Kishën në Brazil. Dita e ardhshme Botërore e Rinisë do t’i tregojë mbarë botës fytyrën e një Kishe plot gjallëri, fantazi, aftësi krijuese, një Kishe që vë theksin mbi praninë e zellshme të të rinjve në të gjitha veprimtaritë e saj. Konferenca ipeshkvnore e Brazilit nuk u shpreh për numrin e mundshëm të pjesëmarrësve, por siguroi se Shteti është plotësisht i gatshëm për ta mikpritur DBR-së. Kujtojmë se kjo është hera e dytë që një vend latinoamerikan pret në gjirin e vet të rinjtë, për Takimin e tyre Botëror. Në vitin 1987 ky nder i takoi Argjentinës, e pikërisht, Buenos Ajres. Natyrisht, që asokohet kanë kaluar shumë vite. Amerika Latine ka ndryshuar, e jo pak – nënvizuan ipeshkvijtë – por pavarësisht nga përmirësimet, në Kontinent vijon procesi i përqendrimit të pasurisë në duart e pakicës e i varfërimit të shumicës. Globalizimi – shtoi kryetari i KIB – ka si pasojë edhe sheshimin e vlerave kulturore, krijimin e një kulture standarde, që çon në humbjen e identitetit kulturor, posaçërisht në botën rinore, mbi të cilën – sipas don Pinheiros - ndikojnë fuqimisht edhe mjetet e komunikimit. Ndërkaq, më 18 shtatorin e ardhshëm, në Brazil do të arrijnë Kryqi dhe Ikona Mariane, simbol i DBR-së, sipas dëshirës së Gjon Palit II. Kryqi do të pritet nga Kryedioqeza e San Paolos e, prej këtu, do të niset për shtegtim në 274 dioqezat e vendit. Dy vjet do të vijojë ky shtegtim, i shoqëruar me parapërgatitjen e takimit të madh rinor. Për ta pritur Kryqin, Kryedioqeza e San Paolos do të kremtojë një Meshë solemne në Kampo di Marte. Kryqi i DBR-së do të qëndrojë në San Paolo deri më 31 tetor; etapa e mëpasme do të jetë ajo e Belo Horizonte, ku Kryqi do të arrijë më 19 nëntor, për të nisur shtegtimin në të gjithë zonën kishtare Leste 2. Etapa e fundit e shtegtimit të kryqit, para se të arrijë në Rio-de-Zhanéjro, do të jetë Vale do Paraíba, në mars të vitit 2013.







All the contents on this site are copyrighted ©.