2011-08-23 15:25:40

Takimi me të rinjtë neokatekumenalë në Madrid. Kiko Arguejo: “Fjalët e Papës sjellin hir të veçantë për të rinjtë”


Pas Ditëve prekëse Botërore të Rinisë në Madrid të Spanjës, dje, Plaza de Cibeles u mbush sërish me gëzimin e fenë e të rinjve: rreth 200 mijë vetë të Lëvizjes neokatekumenale u mblodhën në një takim shpirtëror, kushtuar thirrjeve, kryesuar nga kardinali-kryeipeshkëv i Madridit, Antonio Maria Rouko Varela. Të pranishëm edhe pesë kardinaj të tjerë e 59 ipeshkvij. Folën themeluesit e Lëvizjes, Kiko Arguejo e Karmen Hernandez, së bashku me atë Mario Pecin.
Ky takim organizohet gjithnjë pas Ditëve Botërore të Rinisë e tashmë, është bërë traditë. Para se të shkonin në kryeqytetin spanjoll, të rinjtë e pesë kontinenteve shpallën Ungjillin në rrugët e 500 qyteteve të Evropës e disa prej tyre treguan ngjarje vërtet prekëse nga kjo përvojë. Në fillim të Liturgjisë së Fjalës, të pranishmit dëgjuan një simfoni, kompozuar nga Kiko Arguejo, i cili ia kishte kushtuar muzikën vuajtjes së të pafajshmëve. Katekizmi i tij i mëpasëm u përqendrua në nevojën e në urgjencën e ungjillëzimit të ri.
Pastaj të rinjtë u mblodhën në lutjen, që u pasua nga deklarata e parqitja e 5 mijë të rinjve për t’u bërë meshtarë dhe e 3.200 vajzave për t’u bërë murgesha. Por mbi përvojën e këtyre të rinjve, që nuk kanë frikë ta shpallin në të katër anët e botës se e kanë dëgjuar thirrjen e Zotit e kanë ndërmend t’i përgjigjen me jetën e tyre, të dëgjojmë njërin nga nismëtarët e Lëvizjes neokatekumenale, pikërisht Kiko Arguejon:

Erdhi një grup prej 270 vetësh nga Iraku, një grup nga Palestina, që bënin pjesë në Lëvizje e që shkuan në zona myslimane, duke kënduar: mbetëm të habitur, sepse myslimanët i pritën shumë mirë. Gjithandej kemi pasur kthime në krishterim: një vajzë në Londër, që jetonte në rrugë, takoi dy prej këtyre të rinjve, të cilët i folën e ajo u tregoi se i kishte parë në ëndërr, pikërisht ata të dy… E morën me vete në bashkësi dhe e shpëtuan: ndryshoi krejtësisht jetë. Të rinjve u kemi thënë të shkojnë sidomos nëpër fshatra, edhe në ato më të voglat. Disa prej tyre janë shumë të varfëra, nuk kanë meshtarë e kisha është mbyllur…Gjatë vizitës, këto fshatra shndërroheshin! Vinin të gjithë, u hapnin shtëpitë të rinjve, i ftonin të hanin me ta e pastaj vinin në kremtimin e Eukaristisë. Vërtet, Evropa po pret Ungjillin! Mendoj se Papa Gjon Pali II ka qenë profet e se kjo DBR e ky takim kanë filluar ungjillëzimin e ri. Ajo, që na ka bërë më shumë përshtypje është se ne ishim 200 mijë në Madrid, por pjesa tjetër e të rinjve – e flasim për dy milion vetë – ishin shumë më të mirë se ne: qëndronin me orë në mes të vapës e s’pamë asnjë të protestonte. Një gazetar thoshte: “Jeni këtu prej 6 orësh, nën 39 gradë celcius…e kënaqeni?” E të rinjtë përgjigjeshin: “Po, kënaqemi. Gjithçka ia kemi ofruar Jezu Krishtit”.
Në Meshën përfundimtare të DBR-së së Madridit, Papa nguli këmbë mbi ungjillëzimin e ri. Lëvizja juaj e ndjen shumë këtë aspekt, apo jo?
Kur i Lumi Gjon Pali II e njohu Lëvizjen, pati thënë: “Uroj që vëllezërit e mi ipeshkvij ta ndihmojnë këtë vepër për ungjillëzimin e ri”. Ai na tha: “Kjo është vepër për ungjillëzimin e ri”. E tani, po fillojmë “missio ad gentes” kudo e me sukses të madh.
Në këtë takim shpirtëror, kushtuar thirrjeve, 5 mijë djem u treguan të gatshëm të ndërmarrin rrugën e meshtarisë e 3.200 vajza, rrugën e jetës së shuguruar. Ky është një fryt i rëndësishëm…
Kurrë nuk kanë qenë kaq shumë! Besoj se ky është fryti i takimit me Papën: kemi vënë re se kur të rinjtë dëgjojnë Papën marrin nga Zoti një hir të veçantë. Kur i pyes të rinjtë: “Pse u ngrite?”, të gjithë më përgjigjen: “Më preku ajo që tha Papa në këtë pikë, apo në atë pikë…”. Gjatë këtyre ditëve, fjalët e Papës shndërrohen në hir të veçantë për të rinjtë. Ne s’bëjmë tjetër, veçse mbledhim frytet e punës së Kishës, të punës së Benediktit XVI. Sidomos përsa i përket ungjillëzimit, të rinjtë ndjejnë lumturi të madhe. Thonë: “Kanë qenë ditët më të lumtura të jetës sime, dua të vazhdoj kështu!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.