2011-08-23 15:25:05

Mesazh i Benediktit XVI për Javën liturgjike italiane: Si Zoti e edukon popullin e vet!


U hap dje pasdite në Trieste, Java e 62-të Liturgjike kombëtare italiane. Me këtë rast, Papa i dërgoi një mesazh kryetarit të “Qendrës së Veprimit Liturgjik”, imzot Feliçe Molfetës, ipeshkëv i Çerinjolës-Askoli Satriano. Dokumenti, që mban firmën e kardinalit-sekretar të Shtetit, Tarçizio Bertone, u lexua në hapjen e punimeve. Në të, Benedikti XVI thekson primatin e Zotit në veprimin liturgjik e vë në dukje se liturgjia është burim i pashterrshëm për jetën e Kishës. Tema e zgjedhur këtë vit për Javën Liturgjike, që do të përfundojë të premten, është “Si Zoti e edukon popullin e vet. Liturgjia, burim i pashterrshëm katekizmi”.
Kisha, nënvizon Ati i Shenjtë, nuk mund të kuptohet vetëm si një aspekt tokësor e organizativ i fesë. Kufijtë e ritit janë të nevojshme, por gjatë kremtimit, çdo besimtar duhet ta ndjejë se zemra e bashkësisë është më e madhe se kaq, pasi liturgjia nuk është “ç’bën njeriu, por ç’bën Zoti me mirëdashjen e tij të mrekullueshme e pa interes”. Papa e thekson temën e Javës, duke i ftuar meshtarët dhe ipeshkvijtë ta thellojnë “përmasën edukative të veprimit liturgjik, si ‘shkollë e përhershme formimi përreth Zotit të ringjallur’”. Benedikti XVI uron që Java në vazhdim të sjellë shumë fryte për pjesëmarrësit e për krejt Kishën Italiane.







All the contents on this site are copyrighted ©.