2011-08-22 14:23:46

Mesazhi i Vatikanit për përfundimin e Ramazanit: Ne të krishterë e myslimanë besojmë në Zotin që na udhëheq në udhën tonë të jetës.


“Marrëdhënia e çdo njeriu me përmasën transhendentale nuk është fryt i rrethanave të historisë, por është e shkruar në vetë natyrën njerëzore. Ne nuk besojmë në rastin, por jemi të bindur – siç e provojmë çdo ditë - se Zoti na prin në udhën tonë”.
Kështu shkruhet mes tjerash në mesazhin, nënshkruar nga kardinali Jean-Loius Tauran e kryeipeshkvi Pier Luigi Celata – President e sekretar të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, me rastin e përfundimit të Ramazanit. Si çdo vit, një shenjë miqësie e dialogu me botën myslimane, për Id al-fitr – mbylljen e muajit të Ramazanit, një muaji të veçantë urate, dashuria, bamirësie e solidariteti me të varfrit – Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar u dërgon një mesazh përgëzimi e urimi myslimanëve. Mesazhi, si zakonisht ka si përmbajtje, urimet, përgëzimet dhe një reflektim mbi një temë të veçantë me interes të përbashkët, e sivjet mesazhi përqendrohet mbi temën e përmasës shpirtërore të njeriut. Një realitet ky që “të krishterët e myslimanët e konsiderojnë si jetë të rëndësishëm, para sfidave të materializmit e të shekullarizimit”.
Si të krishterët e myslimanët, pavarësisht nga ndryshimet, e njohin dhe mbrojnë dinjitetin e njeriut, me të drejtat e detyrat e tij. Të dyja palët mendojnë se arsyeja e liria janë dhurata po aq të çmuara që duhet t’i inkurajojnë besimtarëve, t’i pranojnë këto vlera, që i kemi të përbashkëta, sepse mbështetën mbi të njëjtën natyrë njerëzore.
Ja, pra, pse të dyja palët kemi të njëjtin shqetësim: t’ua transmetojmë këto vlera njerëzore e morale breznive të reja. Na takon ne t’i ndihmojnë të zbulojnë ç’është e mirë e ç’është e keqe, t’u tregojmë se ndërgjegjja është shenjtërore, që duhet respektuar; se përmasa shpirtërore i bën njerëzit më të përgjegjshëm, më solidarë e më të gatshëm për t’i shërbyer së mirës së përbashkët”.
Por mjerisht, - kujton mesazhi i Selisë së Shenjtë – “tepër shpesh të krishterët e myslimanët janë dëshmitarë të shkeljes e të dhunimit të gjërave të shenjta dhe të mosbesimit ndaj atyre, që deklarojnë haptazi se janë besimtarë”. Për këtë, “nuk mund të mos i dënojmë e denoncojmë të gjitha format e fanatizmit e të frikësimit, të paragjykimeve e të polemikave”, e sidomos, “të diskriminimeve të besimtarëve, në jetën shoqërore e politike, ashtu si edhe në fushën e mjeteve të komunikimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.