2011-08-22 16:01:48

Bie Tripoli, por nuk dihet ku është lideri i Libisë, Gedafi


Festë në Tripoli të Libisë, ku kryengritësit kanë shtënë në dorë të paktën 95% të qytetit, pavarësisht se vazhdojnë luftimet përreth vendit ku strehohet kolonel Muhamar Gedafi. Libianët u grumbulluan në Sheshin e Gjelbërt, qendër e pushtetit politik të raisit, tani Sheshi i Martirëve. Ky është lajmi i fundit, që vjen nga Libia, ku prej kohësh ndeshen forcat kryengritëse me ato besnike të Gedafit e ku vazhdojnë bombardimet e NATO-s.
Dëshmitarët nga Tripoli tregojnë se pjesa më e madhe e qytetit ka rënë në duart e rebelëve, të cilët kanë arrestuar edhe dy nga tetë bijtë e raisit. Në kryeqytet mbretëron pasiguria e përgjithshme. Nuk ekziston një vijë e dallueshme fronti, pasi njerëzit e Gedafit janë shpërndarë kudo, duke përdorur taktikën e guerriljes.
Libianët ngrenë krye edhe jashtë vendit. Një dyzinë me libianë hynë sot në ambasadën e tyre në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës, ku hodhën nga dritarja portretet e kolonelit, ngritën flamurin tringjyrësh të rebelëve dhe i kërkuan ambasadorit të largohet. Ky i fundit, besnik i Gedafit, dhe refuzoi të largohet, duke thirrur policinë boshnjake, e cila aktualisht ndodhet si brenda, ashtu edhe jashtë ndërtesës. E njëjta gjë ndodhi po sot në Greqi, në Turqi e në Kuvajt.
Marrja e Tripolit u përshpejtua nga ikja e numrit dy të regjimit, Abdel-Salam Jalloud, i cili të premten u strehua në Itali, por edhe si rezultat i planit të përgatitur mirë nga rebelët, NATO-ja dhe banorët anti-Gedafi të kryeqytetit libian. Vërtet, të dielën, kryengritësit morën njërin qytet pas tjetrit deri në Tripoli, në portat e të cilit u dorëzua batalioni që e mbronte, pasi komandanti i tij ishte në fshehtësi kundër liderit libian, që i kishte vrarë të vëllanë para disa vjetësh.
Presidenti amerikan, Barak Obama i bëri thirrje Gedafit të largohet për të shmangur gjakderdhjen e mëtejshme, por theksoi edhe se Libia po çlirohet nga një tiran. Krerët e vendeve të NATO-s shprehën shqetësimin për civilët e përfshirë në konflikt. Edhe vetë liderët e kryengritësve kanë shpërndarë sot një komunikatë, me të cilën i ftojnë rebelët të jenë të moderuar e të mos hakmerren, duke respektuar robërit e luftës.
Duket qartë se përfundoi një epokë, “epoka e diktaturës”. I vetmi që nuk e pranon këtë fakt është pikërisht Muhamar Gedafi, i cili nuk dihet se ku është fshehur. E derisa të mbetet fantazmë, akoma nuk mund të flitet për kthesë të plotë e përfundimtare në Libi.







All the contents on this site are copyrighted ©.