2011-08-21 19:23:46

Benedikti XVI, para largimit nga Spanja: “Përhapeni në të katër anët e botës këtë përvojë gazmore e të thellë të fesë! Mirupafshim në Rio-de-Zhanéjro!”.


Rreth orës 18. 30, në Aeroportin “Barajas” të Madridit – veprimtaria e fundit e Ditës së XXVI Botërore të Rinisë, që do të hyjë në historinë e rinisë botërore si “Dita e Madridit”, për t’i hapur të rinjve rrugë edhe më të largëta, drejt Brazilit.RealAudioMP3
Gjatë ceremonisë së lamtumirës, Papa falënderoi autoritetet shtetërore, kombëtare e rajonale, si edhe të gjithë ata që, në mënyra të ndryshme, siguruan suksesin e plotë të kësaj Dite të Madhe, për pritjen që i bënë atij e të rinjve, të cilët mundën të vizitojnë shumë qytete spanjolle e t’i ndjekin të gjitha veprimtaritë me gëzim e entuziazëm. Falënderoi edhe Kishën në Spanjë për shërbimet e çmuara, që i bëri Kryebariut e të rinjve, duke nisur nga katekizmi, për të përfunduar tek ky takim lamtumire. Organizatorëve kishtarë të DBR-së, Papa iu drejtua me fjalët:
“Ju ftoj tani ta përhapni në të katër anët e botës përvojën gazmore e të thellë të fesë, që u jetua në këtë vend fisnik”.
Por, falënderimi kryesor i Atit të Shenjtë, iu drejtua Zotit:
“Pasardhësi i Shën Pjetrit i shpreh mirënjohjen e tij të thellë Hyjit, Zotit tonë: Po, festa e fesë, e jetuar së bashku, na krijon mundësinë të shikojmë përpara me besim të plotë në Provaninë, që i prin Kishës nëpër detin e historisë”.
Prandaj mbetet i ri e plot gjallëri, edhe pse i duhet të përballojë situata të vështira. Kjo është vepër e Shpirtit Shenjt, që e bën Krishtin të pranishëm në zemrat e të rinjve të çdo epoke, duke zbuluar, kështu, madhështinë e thirrjes hyjnore të çdo njeriu. Provuam – theksoi Ati i Shenjtë - edhe se hiri i Tënzot i shemb muret e i zhduk kufijtë, që ngre mëkati, për t’i ndarë popujt e breznitë, sepse dëshiron t’i bashkojë të gjithë popujt në një familje, në familjen e një Ati të vetëm, e cila kultivon me punë e respekt, dhuratën e tij të madhe, Gjithësinë:
“Nuk duhet ta humbasim guximin përballë pengesave që, në mënyra nga më të ndryshmet, duhet t’i kapërcejnë shumë nga vendet e botës. Dëshira për Zotin, që Krijuesi ngjall në zemrat e të rinjve, e fuqia nga lart, dhuratë e hirit hyjnor për ata, që ndjekin Mësuesin e ata, që gjejnë në Të ushqimin për jetën, janë më të forta se të gjitha pengesat!”.
Në përfundim, Papa iu drejtua përsëri Mbretit të të gjithë spanjollëve me fjalët:
“Madhëri. para se të kthehem në Romë, dëshiroj t’i siguroj spanjollët se janë shumë të pranishëm në lutjen time, se lutem në mënyrë të veçantë për bashkëshortët e për familjet, që përballojnë vështirësi të të gjitha natyrave, për nevojtarët e të sëmurët, për pleqtë e fëmijët, e edhe për ata, që nuk gjejnë punë.
Lutem për të rinjtë e Spanjës. Jam i bindur se, të gjallëruar nga besimi në Krishtin, do të japin ç’kanë më të mirë, duke e ndihmuar këtë vend t’i përballojë sfidat e së sotmes e të ecë përpara në rrugën e harmonisë, të solidaritetit, të drejtësisë e të lirisë.

Përfundoi, kështu, Shtegtimi i 20 ndërkombëtar i Benediktit XVI , i 133-ti shtegtim i papëve jashtë Italisë në epokën bashkëkohore.
Të rinjtë tani do të nisin rrugën e kthimit në vendet e tyre, ngarkuar me kujtimet e paharrueshme të Ditës së Madridit, që sapo përfundoi, e me dëshirën për të marrë pjesë në Ditën e ardhshme botërore. Në rrugën e kthimit jehon përshëndetja: “Lamtumirë Madrid” e “Mirupafshim Rio-de-Zhanéjro!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.