2011-08-21 20:16:26

Apostujt e Papës largohen nga Madridi si misionarë të ungjillëzimit të ri!


Nuk dehen, nuk tymosin duhan, luten, këndojnë, vallëzojnë e, mbi të gjitha, janë “rinia e Papës”. Qindra mijëra të rinjtë e Ditës Botërore të Rinisë kanë nisur shtegtimin e kthimit në vendet e tyre, duke i dhënë lamtumirën Madridit, njëherësh me Atin e Shenjtë, pas Meshës oqeanike dhe ceremonisë së largimit, me një mision tejet të qartë, që ua besoi Papa Racinger: “Do të jenë apostuj të ungjillëzimit të ri!”.
Janë breznia e Benediktit XVI – tha kardinali i Madridit, Antonio Maria Ruoko Varela, duke ndjekur me admirim entuziazmin e atij deti të pafund energjish rinore.
Të gjithë të rinjtë e pranishëm këtu, janë gati të rinisen nëpër udhët e botës, të dërguar nga Shenjtëria Juaj si apostuj të ungjillëzimit të ri – i tha Papës, në përfundim të Meshës, kremtuar përballë më se dy milion shtegtarëve, kryetari i Këshillit Papnor për Laikët, Stanislao Rilko.Janë Apostuj. E shumë të fortë. E tregojnë këtë gjashtë ditët e Madridit, të cilat i kaluan me gëzim rinor, por edhe me vështirësi, që nuk mund të mungonin në një vërshim të tillë. Fjetën për dhe, shpesh u munguan edhe shërbimet kryesore higjienike, shtegtuan në një temperaturë rreth 40 gradë, në një Madrid, që dukej sikur do të digjej nga dielli i zjarrtë, mbetën edhe pa ngrënë, e, sidomos, pa pirë një pikë ujë, kur u çahej buza nga etja. Në Kuatro Vientos e kaluan gjithë natën pa vënë asnjë çast gjumë në sy, për të ndjekur Mbrëmësoren e lutjes e, sot, Meshën solemne, kulm i ditës së tyre. Pa harruar kurrë edhe këngën e vallen. Por mungesat, as vështirësitë nuk ua pakësuan aspak entuziazmin e pasionin për Papën. Me vetëdijen se të jesh shtegtar, nuk është punë aq e lehtë. Të dhëmbin këmbët, të përvëlohet koka, të thahet goja për një pikë ujë e, duke ecur nën këtë diell, qelbesh nga era e djersës. Por s’ka gjë – pohojnë me të njëjtin entuziazëm të rinjtë - kështu e ndjejmë veten më afër mijëra njerëzve, që kalojnë çaste tepër të vështira në këtë kohë krize. Madridasit, nganjëherë të shqetësuar nga vërshimi në metrotë i këtij oqeani me të rinj, nga 194 vende të botës, nga paralizimi i qendrës për Meshën e sotme të Papës, nga bllokimi i autobusëve, mbetën, megjithatë, të mrekulluar nga pamja e “këtyre ëndërrimtarëve të fesë”. Gjithnjë të qeshur. Gjithnjë paksi të çuditshëm. E të jashtëzakonshëm. Që nuk u panë për asnjë çast duke pirë duhan, as alkool, duke luajtur lojra elektronike, as duke u endur kot më kot rrugësh. U panë vetëm duke qeshur, duke kënduar e duke ecur sikur vallëzonin, gjithnjë të shtrënguar fort njëri pas tjetrit. Edhe pse, për punët e tjera, janë njëlloj si gjithë të rinjtë. Disa shkelën në rrugët e Madridit me bluzën e skuadrës së preferuar të futbollit e pamja e stadiumit të Bernabeut a të Real Madridit, i la për një çast pa frymë. Në ndryshim nga breznia Vojtila, duhet të jetojnë në një botë të tronditur thellë nga kriza e nga papunësia. Ardhmëria tyre është e paqartë. Por pika e tyre e referimit është ‘Papa intelektual”, që ndoshta ndryshon paksa nga Gjon Pali II, por që, gjithsesi, u ngjall një entuziazëm të jashtëzakonshëm e jo më pak, shumë shpresa për një të ardhme, që nuk është në dorë të njeriut, por në dorë të Zotit, të cilin ata erdhën ta takojnë në Madrid e do të vijojnë ta takojnë në të gjitha udhët e jetës e të botës. Këta janë të rinjtë e Madridit, breznia misionare e Papës Benedikti XVI!







All the contents on this site are copyrighted ©.