2011-08-20 19:50:48

Papa viziton Fondacionin “Instituti i Shën Jozefit”, në Madrid.


Pas takimit me komitetet organizatore të DBR-së, Papa u nis për të vizituar Fondacionin “Instituti i Shën Jozefit” që mbarështohet nga Urdhëri spitalor i Shën Gjonit të Zotit, i cili njihet më shumë si Fatebenefratelli - Bënimirëvëllezër”. Ishte ftesa, që u drejtonte Shën Gjoni i Zotit të gjithë njerëzve, për t’i ndihmuar të varfërit, të sëmurët, të vemtuarit, të cilët vijojnë të enden pa strehë nëpër vise e në kohë. Qendra e Kompleksit të Fondacionit është një Pallat, ndërtuar në vitin 1899, nën kujdesin e markezit të Valejos e të Shën Benedikt Menit, rregulltar i Urdhërit. Këtu mjekohen njerëz me kufizime fizike e mendore, në mënyrë të posaçme, ata që vuajnë nga epilepsia, në gjuhën popullore, sëmundja e tokës. Kompleksi, i shpallur me interes historik, ka dhjetë pavijone, me 400 krevate e 300 punonjës të shëndetësisë.
Takimi i Papës me të sëmurët, rregulltarët e personelin mjekësor u mbajt në fushën e sportit, në hyrje të së cilës, për ta pritur Atin e Shenjtë, kishin dalë drejtuesit e Institutit. Të pranishëm, edhe 200 fëmijë me kufizime fizike.
Në një fjalim të shkurtër, Benedikti XVI përballoi përsëri temën e dhimbjes, që bëhet edhe më e thellë, kur e mundon njeriun në moshë të re. A mund të jetë përsëri e madhe jeta, kur ndërpritet brutalisht nga dhimbja - pyeti Papa. Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, jashtëzakonisht kritike, theksoi:
“Lidhur me këtë, në Enciklikën kushtuar shpresës së krishterë, nënvizova: ‘Vlera e njerëzimit përcaktohet kryesisht nga qëndrimi që mban ndaj vuajtjes e të vuajturit. Një shoqëri, që nuk di t’i pranojë njerëzit e vuajtur e nuk është e aftë të kontribuojë, me mëshirë, për t’i lehtësuar bashkërisht vuajtjet fizike e shpirtërore të njeriut, është shoqëri mizore e çnjerëzore”.
Papa foli përsëri për takimin personal me Krishtin, kujtoi se jeta vlen të jetohet vërtet, vetëm kur vihet në shërbim të Zoti e të njeriut, që vuan, e se, edhe jeta e të rinjve të sëmurë, është pasuri e vërtetë për gjithë njerëzimin. Jeta e këtyre të rinjve, e shndërron zemrën e ngurtë të njerëzve e prandaj, s’na mbetet tjetër, veçse t’i shprehim mirënjohjen tonë Zotit, që na dha mundësinë t’i njohim - tha Papa dhe, në përfundim, vlerësoi lart shërbimin e punonjësve të Institutit:
Shoqëria jonë, në të cilën shpesh vihet në dyshim vlera e paçmuar e jetës, e çdo jete, ka nevojë për ju: ju kontribuoni për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë”.
Papa e mbylli këtë takim prekës me lutjen përfundimtare e bekimin apostolik, pasi u takua personalisht me dhjetë fëmijë të sëmurë, për të lënë, si kujtim të kësaj vizite të paharrueshme, nënshkrimin e tij në Librin e Artë të Fondacionit.
Tani Benedikti XVI është në aeroportin e “Kuatro Vientos”, me të rinjtë që marrin pjesë në Mbrëmësoren e lutjes e që nesër do të mblidhen përsëri rreth Atit të Shenjtë, si apostuj e dëshmitarë të rinj, të ungjillëzimit të ri të vendeve nga kanë ardhur, e ku do të rikthehen së shpejti, për ta vënë në jetë mandatin, që po marrin në këtë natë të jashtëzakonshme!







All the contents on this site are copyrighted ©.