2011-08-20 17:35:17

Papa rrëfen katër të rinj në parkun Buen Retiro


Sot paradite Benedikti XVI shkoi në parkun e Buen Retiros-s, kthyer në rrëfyestore të blertë, vigane, për Festën e madhe të Faljes e të Pajtimit me Zotin. Janë 200, rrëfyestoret në formë varke me tri vela, ku Festa e pajtimit ka filluar që më 14 gusht. Të kujtojnë ftesën e themeluesit të DBR-së, Gjon Palit II: “Duc in altum!” – “Dil në det të hapur!”. Për të peshkuar shpirtra për Krishtin!
Mijëra të rinj shkarkuan shpirtin në këto varka të bardha e, ndërmjet tyre, katër patën fatin të rrëfeheshin sot me vetë Papën Benedikti XVI.
Rrëfime në të gjitha gjuhët kryesore të botës, simbol shprehës i kthimit të djalit të penduar në shtëpinë e atit e, sidomos, i katolicitetit dhe i universalitetit të Kishës. Don Havier Kremades, në mikrofonin tonë, flet pikërisht për këtë festë të jashtëzakonshme të faljes së mëkateve:RealAudioMP3

Përgjigje: - Erdhën të rinj nga të katër anët e botës për të marrë sakramentin e Faljes. Në Park ishin të pranishëm më se 5 mijë meshtarë, gati për të pritur pendestarët e rinj. U desh të hartohej një orar, sepse ishin vetëm 200 rrëfyestore. Ndërsa meshtarët e të rinjtë ishin me mijëra. Festë e vërtetë e faljes, e mëshirës hyjnore, e kthesës së madhe. Madje kishte edhe nga ata që, pa pritur të gjunjëzoheshin nën velin e bardhë të varkës-rrëfyesore, ndalonin të parin meshtar, që takonin, e i luteshin t’i rrëfente, duke ecur ngadalë, krah për krah në atë mjedis, që vendasit e quajnë “mushkëria e blertë” e Madridit.

Pyetje: - Sonte, gjatë mbrëmësores së lutjes, Papa do t’ia kushtojë të rinjtë Zemrës së Krishtit: pse ka rëndësi të madhe ky kushtim?
Përgjigje: - Zemra e Krishtit është shprehje e dashurisë së Jezusit. Në një zemër, ku mblidhen të gjitha emocionet, të gjitha ndjesitë e mira, Jezusi është i gjallë. Krishti ka një zemër të madhe. T’ia kushtosh të rinjtë kësaj Zemre, është një nga mënyrat për t’u treguar se afërsia e Krishtit nuk është teorike, por krejt reale, se secili – e kjo është një mrekulli e madhe – mund ta provojë personalisht miqësinë me Zotin, zemër për zemër, shpirt për shpirt. Miqësi me Krishtin, Birin e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.