2011-08-20 15:03:23

Papa në Udhën e Kryqit me të rinjtë: "mos kaloni me indiferentizëm para vuajtjes njerëzore"


Zojës, Nënës së Krishtit, shembull jete për të rinjtë e për të gjithë besimtarët e krishterë, iu drejtua lutja e mendimi i Papës, në përfundim të Udhës së Kryqit me të rinjtë e DBR-së në Madrid, e cila filloi në orën 19.30. Benedikti XVI shkoi në sheshin Sibeles, pas drekës me një delegacion të rinjsh në Nunciaturën apostolike të Spanjës dhe pas takimit zyrtar me kryeministrin spanjoll Zapatero.
Udha e Kryqit në Spanjë, traditë fetare me karakter tejet popullor, ka prekur thellë në rrjedhë shekujsh një mori artistësh të mëdhenj, posaçërisht piktorë e skulptorë. Prej këndej, thirrjes së kardinalit Varela, kryeipeshkvit të Madridit, për ta bërë sa më të ndjeshme Udhën e Mundimeve të Zotit, iu përgjigjen menjëherë 13 Bashkëvëllazëri (Cofradías) nga të katër anët e Spanjës, duke ofruar grupet skulpturore, që janë vendosur në Sheshin Sibeles, si ikona, përmes të cilave rijetohen të 14 stacionet e Udhës së Mundimshme të Kalvarit. Janë vepra antike të skulptorëve të njohur, të cilat formojnë pasurinë historike liturgjike të Javës së Madhe të Pashkëve në Spanjë.
Proçesionit, që shkoi nga një grup skulpturor tek tjetri, i prinin dy të rinj me pishtarë, nga një për çdo bashkëvëllazëri, e dhjetë të rinj të tjerë, të ardhur nga vende të ndryshme. Me radhë, ata mbartnin Kryqin e DBR-ve, ndërsa lexoheshin meditimet, shkruar për këtë rast nga Motrat e Kryqit të Seviljes. Bashkë me Mundimet e Zotit tonë Jezu Krisht, Udha e Kryqit kujtoi vuajtjet e të rinjve në të katër anët e botës, ku vijojnë luftërat, vëllavrasjet, persekutimet për shkak të fesë, përjashtimi nga radhët e shoqërisë, drogimi, aborti, terrorizmi, katastrofat natyrore.
Në njërën nga ndalesat e pikërisht në stacionin e tetë, Kryqin e DBR-ve e mbajtën të rinjtë nga Shqipëria. Është ndalesa, në të cilën përkujtohet guximi i shën Veronikës, që la pas gratë e përlotura, kapërceu radhën me ushtarë e i fshiu Krishtit fytyrën e përgjakur. Meditimi i shkruar nga Motrat e Kryqit të Seviljes, jo më kot, kujtoi diktaturën komuniste: “Jezusi – u shqiptua në këtë ndalesë – ka mëshirë për gratë e Jeruzalemit e në pëlhurën e Veronikës lë vulën e fytyrës së vet, e cila na kujton sa e sa njerëz të shpërfytyruar nga regjimet ateiste, që e shkatërrojnë personin dhe e privojnë atë nga dinjiteti”.
Gjatë fjalës së tij, Papa, dashuronjës e njohës i thellë i artit, nuk ndenji pa i përmendur skulpturat e 14 ndalesave të Udhës së Kryqit. “Në to – theksoi Benedikti XVI – feja e arti harmonizohen, për të arritur në zemrën e njeriut e për ta ftuar atë të kthehet kah Zoti. Kur vështrimi i fesë është i kristaltë e i vërtetë, bukuria vihet në shërbim të tij e na bën t’i përfytyrojmë misteret e shëlbimit tonë derisa të mallëngjehemi thellë e ta shndërrojmë zemrën…”
Mundimet e Krishtit, vazhdoi Ati i Shenjtë, na shtyjnë të mbajmë mbi shpatulla vuajtjet e botës, me sigurinë se Zoti nuk është larg nga njeriu e historia e tij. Duke u bërë njëri prej nesh, Ai merr mbi vete edhe vuajtjen tonë e na ngushëllon me dashurinë hyjnore, nga e cila lind ylli i shpresës. Që këtej, thirrja për të rinjtë:
“Ju që jeni shumë të ndjeshëm ndaj idesë së bashkëndarjes së jetës me të tjerët, mos kaloni me indiferentizëm para vuajtjes njerëzore, ku Zoti pret që të ofroni ç’keni më të mirë brenda jush: aftësinë për të dashur e për të mëshiruar”.
Benedikti XVI pohoi se “vuajtja me të tjerët, për të tjerët; vuajtja nga dashuria për të vërtetën e për drejtësinë; vuajtja për shkak të dashurisë e për t’u bërë njeri, që dashuron me të vërtetë, – këto janë elementet themelore të humanitetit, braktisja e të cilave do ta shkatërronte vetë njeriun”.
“Kryqi – tha në fund Ati i Shenjtë – me formën e kuptimin e vet përfaqëson dashurinë e Atit e të Krishtit për njerëzit. Në të shohim ikonën e dashurisë më të lartë, nga e cila mësojmë të duam ç’do Zoti e ashtu si Ai: ky është Lajmi i Mirë, që i jep shpresë botës”.
Në Shesh ishte ekspozuar edhe një grup skulpturor kushtuar Virgjërës Mari, që njihet si Zoja e Reglës së Seviljes. Kësaj Zoje, Shtatorja e së cilës është vendosur në anën e djathtë të podiumit papnor, iu drejtua lutja përfundimtare e Papës.







All the contents on this site are copyrighted ©.