2011-08-20 17:42:52

Papa Benedikti XVI rrëfyes.


Një risi në programin e kësaj Dite Botërore të Rinisë, është rrëfimi i disa të rinjve nga vetë Papa.
Nuk është hera e parë që të rinjtë rrëfehen me Papën, në ditët e tyre botërore. Nisën ta marrin sakramentin e pajtimit me Zotin duke u gjunjëzuar për herë të parë në rrëfyestoren e Papës Vojtila. Ndërsa Papa Racinger solli në ditët botërore të rinisë dy gjëra të reja. E para, në Këln, në verën e vitit 2005. Në kulmin e natës pa gjumë, Papa Benedikti XVI u gjunjëzua para Hostes së shuguruar. Gjatë. Rrethuar nga një heshtje e thellë. E nga qindra mijëra të rinj, që u prekën në shpirt nga një gjest i tillë adhurues.
Që atëherë, me Papën Benedikti XVI, adhurimi eukaristik i heshtur u bë i pranishëm jo vetëm në Ditët Botërore të Rinisë, por edhe në takime të tjera masive, si për shembull, në mbrëmësoren e lutjes, në Hajd Park të Londrës, më 18 shtator 2010.
E reja e dytë nis me këtë ditë rinore të Madridit. Papa do të rrëfejë në publik, një orë para se të kremtojë Meshën Shenjte.
Për saktësi, sakramenti i rrëfimit bën pjesë në programin e Ditëve Botërore të Rinisë duke nisur nga takimi Rinor i Romës, në vitin 2000, kur Cirku Massimo u bë për disa orë, rrëfyestorja më e madhe që kishte parë ndonjëherë bota.
Gjon Pali II zbriste në bazilikën e Shën Pjetritr një herë në vit, të Mërkurën e Madhe, për të rrëfyer disa orë. Edhe Benedikti XVI e ka vijuar dy herë këtë traditë, gjithnjë në Bazilikën e Shën Pjetrit, të enjten para së Dielës së Larit, më 29 mars 2007 dhe më 13 mars 2008.







All the contents on this site are copyrighted ©.